Gazeta “SI”- Fan Noli lindi më 6 janar 1882 në fshatin Qytezë, një vendbanim shqiptar në Trakë, jo larg nga Edreneja. Fshati, si disa të tjerë në atë krahinë, kishte ruajtur gjuhën, doket dhe traditat shqiptare. Noli e konsideronte prejardhjen e tij nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, kishte pasuri toke por nuk u mor me bujqësi, duke shërbyer si psalt në kishën e fshatit, ndërsa e ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja kishte shumë anëtarë dhe jetesa ishte e vështirë, ndërsa Fan Noli filloi shkollën me vonesë për shkak të sëmundjeve të rënda gjatë fëmijërisë.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Megjithëse ndikimi i Patriarkanës Ortodokse greke ishte i pranishëm, tek Noli u zhvillua një krenari e thellë për origjinën shqiptare dhe dashuria për shkrimin në gjuhën shqipe. Në vitin 1900 u nis për në Greqi për të vazhduar studimet në fakultetin e filozofisë, por ato nuk i kreu. Punoi si kopist, sufler dhe aktor në trupa teatrale, dhe u përfshi në shkrimin e dramës “Zgjimi”, e cila u ndalua për shkak të aludimit të saj për lëvizjen shqiptare për liri.
Në 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues greqishtje dhe përkthen veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Në të njëjtën kohë botoi skica letrare në revistën “Numas”. Më 1906 u nis për në Shtetet e Bashkuara, duke mbërritur në Nju Jork më 10 maj. Fillimisht punoi në Buffalo dhe më pas në Boston, ku u bë zëvendës-redaktor i gazetës “Kombi” dhe botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.
Një ngjarje e rëndësishme ishte tensioni i shqiptarëve ortodoksë me Kishën Greke gjatë një varrimi, që çoi në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, me Nolin si klerikun e parë. Më 1908, në moshën 26 vjeç, ai u shugurua diakon dhe më pas prift ortodoks, duke kryer liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Nga 1909 deri 1911 botoi gazetën “Dielli”, ndërsa më 1911 udhëtoi në Evropë për të kryer shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për komunitetet shqiptare në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 1912, së bashku me Faik Konicën, ishte ndër themeluesit kryesor të shoqatës Vatra dhe të organit të saj të shtypit “Dielli”. Nga 1908 deri 1912 kreu studimet e larta për Arte në Harvard, përfundoj me Bachelor of Arts cum laude. Ai mbështeti qeverinë e Ismail Qemalit pas shpalljes së Pavarësisë dhe mori pjesë në Kongresin Shqiptar të Triestes më 1913. Më 10 mars 1914, në Durrës, mbajti shërbesën e parë ortodokse në gjuhën shqipe pranë princit Vilhelm zu Vid.
Në vitet 1915–1919, Noli u aktivizua fuqishëm në jetën e bashkësisë shqiptaro-amerikane. Ai u bë kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, themeloi revistën anglisht The Adriatic Review, dhe përdori fondet e Vatrës për të dërguar delegatë shqiptarë në Paris, Londër dhe Uashington për njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë. Më 27 korrik 1919 u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Ai u angazhua gjithashtu në politikë, duke u zgjedhur deputet i Kolonisë së Amerikës (1921–1923) dhe ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit.
Në vitin 1924 u vu në krye të Lëvizjes së Qershorit, një përpjekje e rinisë për të modernizuar Shqipërinë. Programi i tij me njëzet pika përfshinte reforma agrare dhe demokratizim, por përplasjet me aristokracinë dhe mungesa e përgatitjes parlamentare sollën dështimin e lëvizjes. Pas rikthimit të Zogut në pushtet, Noli u dënua me vdekje në mungesë dhe u detyrua të emigronte në Itali, Vjenë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, ku vazhdoi aktivitetin opozitar me gazetën “Republika”.
Në Shtetet e Bashkuara, Noli iu rikthye jetës kulturore dhe shkencore. Në 1938 u diplomua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore mori doktoratën në Universitetin e Bostonit mbi Skënderbeun. Ai vazhdoi të punonte për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe mbajti lidhje me regjimin komunist të Shqipërisë për njohjen e saj nga SHBA. Më 12 prill 1937, Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Autoqefale Shqiptare. Fan Noli vdiq më 13 mars 1965 në Fort Lauderdale, Florida, dhe u varros në Boston.
Veprimtaria letrare dhe kulturore

Fan Noli ishte shkrimtar, përkthyes dhe stilist i gjuhës shqipe. Vepra e tij e parë ishte drama “Israilitë dhe Filistinë” (1907), bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës. Përktheu liturgjinë dhe ritualet ortodokse në shqip, duke botuar dy vëllime të Librëve të Shërbesave të Shenjta (1909, 1911). Më 1921 botoi veprën madhore “Historia e Skënderbeut” në Boston. Ai shkroi dhe botime të tjera në anglisht, si “Beethoven dhe Revolucioni Francez” (1947) dhe një album me vjersha (1948), duke përfshirë përkthime të poetëve të njohur.
Noli vlerësohej si një nga stilistët më të mëdhenj të dialektit toskë, duke i dhënë shqipes një gjuhë të stërholluar, elegante dhe ritmike. Përveç letërsisë, ai kontribuoi në muzikë, duke përfunduar studimet në Konservatorin e Muzikës dhe duke kultivuar një dëgjim të hollë artistik për stilin dhe ritmin në përkthime. Bashkë me Faik Konicën, konsiderohet ndër përkthyesit dhe stilistët më të shquar të letërsisë shqipe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




