Admir Murataj është personi i vrarë dje gjatë grabitjes së miliona eurove në Aeroportin e Rinasit. Konfirmimi i u bë nga familjarët e tij, qe shkuan pranë morgut në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Mes tyre është edhe bashkëshortja dhe i vëllai i Admir Muratajt. Ata thanë se ishin thirrur për të identifikuar viktimën.
“Na kanë thirrur që ta shohim nëse është vëllai im apo jo. Nuk e dimë ende. Sot e morëm vesh ngjarjen dhe shkuam vetë në polici”, tha vëllai i Murataj, para se të kqyrte trupin dhe që më pas konfirmoi se ishte i vëllai.

Ndërkohë gruaja e Admirit është shoqëruar edhe nga Policia e Shtetit, ku është pyetur në imtësi për ngjarjen.
Sipas mediave greke, Murataj është arratisur nga burgu grek i Trikalas në vitin 2013, së bashku me 10 kriminelë të tjerë të rrezikshëm shqiptarë. Admir Murataj akuzohet gjithashtu për grabitjen e 850 mijë euro në maj të 2013-ës nga Banka Kombëtare e Larisës, dy muaj pasi u arratis nga burgu i Trikallas.

Admir Murataj që u vra dje ishte në kërkim prej më shumë se dy vitesh si organizator edhe i tri grabitjeve të tjera të blindave me para të bankave në Rinas, dy në 2015 dhe një në 2017. Ndërkohë që anëtarët e tjerë të grupit u arrestuan dhe u dënuan, Murataj arriti që jo vetëm t’i shpëtonte burgut, por edhe të organizonte grabitjen e radhës në Aeroportin e Rinasit.
Të martën e 9 prillit, grabitja që ndodhi në Aeroportin e Rinasit ishte ndër më të mëdhatë të ndodhura ndonjëherë në Shqipëri.
Ashtu si edhe para tri vitesh disa persona kanë arritur sërish të thyejnë rrethimin pa u diktuar nga forcat e sigurisë.

Duket se grupi ka pasur informacion të qartë mbi shumën që do të transportohej dhe orari. Brenda pak minutash u realizua grabitja dhe autorët kanë dalë sërish nga e njëjta derë ku dhe hynë. Dëshmitarët kanë treguar se gjithçka ka ndodhur shpejt dhe pa shkaktuar panik. Edhe një herë mbetet enigmë se si forcat e sigurisë nuk morën informacion për thyerjen e rrethimit, por janë sinjalizuar vetëm pasi agresorët janë larguar. Grabitësit janë përgjigjur me armë duke tentuar të largohen, por në betejë mbeti i vrarë një prej tyre. Si pasojë e ndjekjes autorët kanë braktisur mjetin. Pesë prej tyre dyshohet se kanë mundur të largohen me këmbë, teksa ishin të armatosur me kallashnikov edhe granata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



