Njerez

Familja, mjedisi më i pasigurt për fëmijët

Nga Gazeta Si – Përgjatë viteve 2018-2023 në ALO 116-111 janë sinjalizuar 41 raste të dhunës dhe abuzimit seksual ndaj fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve deri në moshën 18 vjeç.

Fëmijët raportojnë se, mjedisi më i pasigurtë ku edhe ka ndodhur dhuna, ngacmimi apo abuzimi seksual është familja me 41.4% të rasteve, e ndjekur në vendin e dytë nga komuniteti me 34% të rasteve dhe institucionet arsimore me 24.3% të rasteve.

Rreth 900 mijë fëmijë, adoleshentë, të rinj e të reja, prindër, të afërm dhe familjarë kanë telefonuar përgjatë 14 viteve në ALO 116-111 për të diskutuar dhe raportuar çështje të ndryshme të lidhura me fëmijët. Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë bëri publike të dhënat e Raportit Kombëtar 14 vjeçar “Zëri i Fëmijëve”.

Gjetjet e raportit u prezantuan mesditën e sotme nga vetë fëmijët përgjatë “Panairit të I-rë të Shërbimeve të Integruara për Fëmijët dhe të Rinjtë”.

Në raport theksohet se 119.828 fëmijë, adoleshentë dhe të rinj, kanë marrë këshillim psiko-social për çështje nga më të ndryshme dhe qe janë referuar si shqetësim prej tyre.

Ndërkohë 19.774 raste janë trajtuar, vlerësuar dhe menaxhuar, ku 4,056 prej tyre janë ndjekur në mënyrë të menjëhershme në bashkëpunim me aktorët e sistemit për mbrojtjen e fëmijës.

Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani, Vlora, Korça dhe Shkodra, janë qytetet me numrin me të lartë të rasteve dhe telefonatave të pritura, ku gjatë periudhës 2018-2023 Qarku i Tiranës ka pasur trefishim të rasteve dhe telefonatave të pritura nga shërbimi, krahasuar me Qarkun e Durrësit që renditet në vendin e dytë për nga numri i lartë i rasteve të referuara pranë ALO 116-111.

Vajzat raportojnë në përqindje më të lartë problematikat dhe shqetësimet e tyre (54%), krahasuar me djemtë që përbëjnë rreth 46% të fëmijëve dhe të rinjve për periudhën 2009-2023.

Dy grupmoshat që kanë telefonuar dhe raportuar më shumë problematika janë grupmosha 10-12 vjeç dhe 13-15 vjeç me 106,566 telefonues (numri më i lartë i korrespondon grupmoshës 13-15 vjeç).

Përgjatë viteve 2009-2017, referuar rasteve të raportuara për vlerësim dhe referim në vendin e 1-rë me 33% renditen rastet e kategorisë së marrëdhënies mes fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, e ndjekur në vendin e 2-të me 20% të rasteve të abuzimit dhe dhunës (në familje, komunitet, shkollë), si dhe në vendin e 3-të me 13% kategoria e rasteve mbi marrëdhëniet familjare.

Përgjatë viteve 2018-2023, rezulton një rritje e rasteve të shfrytëzimit të fëmijëve për arsye përfitimi (jo në internet) ku nga 2% kjo shifër shkon në 41% të rasteve.

Përgjatë viteve 2018-2023, rastet mbi sigurinë në internet,  janë rritur ndjeshëm me 12% më tepër (14% total) krahasuar me 9 vitet e shkuara, ku shifra e kësaj kategorie ishte 2% e rasteve të vlerësimit dhe referimit.

Tre kategoritë më shqetësuese të problematikave që kanë raportuar djemtë pranë ALO 116-111, janë varësia nga bixhozi, lëndët narkotike; problemet, abuzimet dhe dhuna në shkollë, si dhe siguria në internet dhe celular me mbi 2,570 raste vlerësimi dhe referimi.

Tre kategoritë më shqetësuese të problematikave që kanë raportuar vajzat, janë abuzimi, dhuna dhe bullizmi mes fëmijëve dhe adoleshentëve.

Vajzat shfrytëzohen për arsye përfitimi pothuajse dyfish më shumë krahasuar me djemtë në mbarë vendin. 

ALO 116-111 është i vetmi shërbim që ofron pritje, referim dhe trajtim të telefonatave të fëmijëve me protokolle të standardizuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë