Ngjarje

Familja e Martin Canit kërkon drejtësi: Tragjedia po përdoret për qëllime politike, djali ynë nuk kishte TikTok

Gazeta Si – Familja e 14-vjeçarit të vrarë disa muaj më parë, Martin Cani ka reaguar me indinjatë ndaj përdorimit të ngjarjes së rëndë për qëllime politike.

Prindërit e të miturit të ndjerë, Engjell dhe Florina Cani, shprehen se kanë ndjekur me indinjatë mënyrën se si rasti po përdoret, sipas tyre, nga qeveria për mbylljen e rrjetit social TikTok, ndërsa shtojnë se Martini nuk kishte një llogari në këtë platformë dhe se vrasja e tij nuk lidhet me të.

Sipas familjes, Martini humbi jetën për shkak të mungesës së sigurisë në shkolla, neglizhencës së institucioneve arsimore dhe shëndetësore, si dhe vonesave në trajtimin e tij mjekësor.

Ata theksojnë se vendimi për ta transportuar në një spital më të largët dhe mungesa e pajisjeve të specializuara ishin faktorë që ndikuan në këtë tragjedi.

“Martini ishte një fëmijë me ëndrra, një futbollist i talentuar. Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike”, përfundon deklarata e familjes.

“Familja Cani dënon përdorimin e vrasjes së Martin Cani për qëllime politike! Ne, familja e Martin Canit, e kemi ndjekur me dhimbje dhe indinjatë të thellë mënyrën se si tragjedia jonë po përdoret për qëllime politike dhe për të justifikuar vendimin e qeverisë për mbylljen e rrjetit social TikTok.

Duam ta themi qartë dhe publikisht: Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe Martini nuk u vra nga TikTok! Martini u vra nga një thikë e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij. Martini u vra nga një sistem arsimor ku mungojnë masat për sigurinë në shkolla, ku institucionet arsimore dhe ato të rendit nuk marrin masa për të parandaluar dhunën. Ai u vra për shkak se prindërit nuk u njoftuan nga shkolla për incidentin e të premtes, duke mos pasur mundësinë e parandalimit te tragjedisë. Martini u vra nga një sistem shëndetësor ku urgjenca e dërgon në spitalin më të largët, për shkak të një protokolli absurd, megjithëse QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Martini u vra, sepse në Spitalin e Traumës mungon kardiokirurgu si dhe pajisja e specializuar Extracorporeal Circulation Machine për riparimin e zemrës”.

Familja thekson se djali i tyre po vritet sërish nga mungesa e drejtësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve, pasi drejtësia për të nuk është vënë në vend.

“Ndërkohë, ajo që po vret Martinin për së dyti është mungesa e drejtësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve! Drejtësia për Martinin ende nuk është vënë në vend, dhe familja jonë nuk do të ndalet së kërkuari që kjo vrasje të mos kalojë në heshtje. Ne nuk pranojmë që emri i Martinit të përdoret për të justifikuar vendime politike që nuk kanë të bëjnë me vrasjen e tij. Në vend që të merren masa për rritjen e sigurisë në shkolla, për të forcuar edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, për të parandaluar raste të tjera tragjike, qeveria po kërkon të zhvendosë vëmendjen dhe të shmangë përgjegjësinë e saj reale”.

Ata u bëjnë thirrje institucioneve që të bëjnë drejtësi dhe të mos përdoret emri i Martinit si justifikim për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie!

“Ne kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ! Ne kërkojmë që institucionet të ndalojnë përdorimin e vrasjes së Martinit si një justifikim për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie! Martini ishte një djalë i mirë, një futbollist me ëndrra, një fëmijë që meritonte të jetonte. Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike”, thuhet në deklaratën e familjes Cani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë