Ka ndodhur

Falsifikoi pronën në Dhërmi dhe më pas e shiti, arrestohet topografi i Bashkisë së Himarës

Topografi i Bashkisë së Himarës, Elton Marko, është arrestuar, pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e aktit të marrjes së Tokës në pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur te persona të tjerë.

Në lidhje me këtë çështje Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Çështja e tjetërsimit të pronave në Dhërmi, shkaktoi një stuhi pak javë më parë, ku u arrestua drejtori i i zyrës së administrimit të Tokës në Vlorë, Bardhi Gjika,  specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe 51-vjeçari Spiro Duni.

Ndaj tyre rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve në dosjet e pronave të fshatit turistik të Dhërmiut.

Pas falsifikimeve të bëra dhe frikës nga drejtësia, në bashkëpunim me njëri tjetrin, ata inskenuan një grabitje në zyrat e “Tokave” të Dhërmiut në zyrat e Këshillit të Qarkut të Vlorës.

Pas tyre, i dyshuar si i përfshirë në këtë skemë grabitjeje, policia arrestoi edhe ish-kryetarin e Kadsatrës së Vlorës, Klodian Troci, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas dosjes hetimore, Klodian Troci dhe zyrtarë të tjerë të Kadastrës, akuzohen se kanë tjetërsuar pronësinë e 63 mijë metrave tokë në zonën e bregut të Gjilekës në Dhërmi, duke ia dhënë personave me lidhje të forta politike dhe biznesi.

Sipas të dhënave, janë përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore ose kullota në bregdet.

Dyshohet se sipërfaqet e tokës, fryheshin në mënyrë artificiale, duke ju shtuar nga 1 mijë e deri në mbi 5 mijë metra, nga çfarë kishin në realitet palët në terren.

Këto dokumente kanë dalë për interes të lidhjeve shoqërore e miqësore të tyre, banorë të fshatrave Himarë e Dhërmiut, kryesisht zonat e Bregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë