Rend dhe Ligj

Falsifikoi dokumentet për të liruar ‘të fortin’ e Vlorës, arrestohet ish-shefi i burgut të Peqinit

Ish-shefi i Sektorit Ligjor të Burgut të Peqinit, Gani Shehu është arrestuar këtë të enjte nga SPAK, i akuzuar se ka abuzuar me detyrën e tij, duke bërë të mundur që të paraqiste dokumente të rreme që të lirohej një prej të burgosurve “të fortë” në vend, Viktor Imeri, ose edhe Viktor Ymeri.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit, të Organizuar, ai ka paraqitur të dhëna të rreme për Ymerin, me qëllim lehtësimin e masës ndaj tij.

Ndaj Shehut është caktuar masa e “Arrestit në burg”, pasi dyshohet për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, duke qenë se është personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato.

I cilësuar si “i forti i Vlorës” në vitin 1997, Ymeri bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës.

Lidhur me këtë ngjarje, pasi vuajti dënimin, ai u lirua nga burgu në vitin 2019, por u rikthye sërish në dhjetor 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005-ën, të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

Ymeri është shpallur fajtor si një ndër autorët e kësaj vrasje. Pikërisht për këtë ngjarje, ai dyshohet se ka tentuar që të përfitojë nga skema e mashtrimit me kartelën e përgatitur nga dy zyrtarët e burgut të Peqinit, njëri prej të cilëve u arrestua sot.

Në fakt, kjo është e dyta herë që Gani Shehu arrestohet, pasi më 30 shtator u prangos, teksa ndihmoi një të dënuar tjetër që po bënte përpjekjet për t’u liruar nga burgu, me anë të një skeme, duke u hequr si punëtor i devotshëm.

Për këtë skemë, të dënuarit i kishin “ardhur në ndihmë” Gani Shehu, ish-përgjegjësi i Sektorit Ligjor dhe Lulzim Kaziu, me detyrë kartelist në sektorin ligjor.

Por kush është Viktor Ymeri, ose siç njihet ndryshe në Vlorë, si “Tori i Xhihanes”?

Ai la qelinë e burgut të Lushnjës në dhjetor të vitit 2019. Vendimi për lirimin e tij, është dhënë nga gjyqtarja e Elbasanit, Enkeleda Kapedani, e cila vendosi të shuajë dënimin dhe të urdhërojë lirimin e tij.

Ymeri, prej vitit 1999 e deri në 2019-ën, qëndronte në burgun e Lushnjës në Elbasan, pasi ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen në Durrës të Arben Pajës e Ilir Xhungës, dy miqtë e Lulzim Berishës.

Për këto dy vrasje, Ymeri është dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, por në tetor të 2018, Gjykata e Apelit Durrës, vendosi dënimin e tij me 25 vite burg.

Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait), i dënuar me burgim përjetë, pasi së bashku, në qershor të vitit 1999, kanë ekzekutuar me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Po ashtu, Ymeri është dhe daja i Edison Harizajt, i vrarë me rreth 50 plumba në ngjarjen e 7 nëntorit 2018 në zonën e Plepave në Durrës.

Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci, u qëlluan vetëm 7 ditë pasi Gjykata e Apelit në Durrës projektoi lirimin nga qelia të Viktor Ymeri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë