“Kushdo që është prind, kushdo që e njeh përgjegjësinë e çmuar të të qenit nënë apo baba do e mbërthejë plotësisht kuptimin e kësaj pjese”, shkruan Andrea Bocelli, ndërsa kënga që ka publikuar së fundi, e titulluar “Fall on me”, është dueti i tij i parë me të birin, Matteo Bocelli.
Me këtë këngë, Andrea Bocelli ka ditur sërish të befasojë publikun me muzikën e tij. Përpara promovimit të albumit të tij të fundit, “Si”, një prej këngëtarëve më të famshëm jo vetëm italianë, por të skenës botërore, ka bashkuar forcat me të birin, Matteo-n, performanca e të cilëve është si balsam për shpirtin. Është nga ato këngë që mund ta dëgjosh përsëri e përsëri, për orë të tëra.
Mendoja se herët a vonë
Dritat nga lart
Do të zbresin në rrathë dhe drejt dashurisë do t’më prijnë …
…Dua të luftoj për këtë e ta mbaj këtë peshë
Por në çdo hap pyes veten
Se ç’është e vërtetë
Këndon Mateo Bocelli, ndërsa kërkon prej së larti, të bjerë urtësia që do e udhëheqë të riun në udhën e tij:
Bjer në mua
Me krahë të hapur
Bjer në mua
Kudo ku ti je
Bjer në mua me gjithë dritën tënde
Thirrjes së të birit i përgjigjet dashuria dhe përvoja e të atit, që e qetëson të riun me këshillat e tij prindërore:
Shpejt një dritë do të të ndrijë
Ndiqe ngaherë, të të prijë do të dijë
Ti mos u dorëzo, kujdes të mos përhumbesh
Dhe e shkuara do të ketë kuptim për ty
Do të doja besim tek vetja të kishe, por po
Në çdo rast që do të lëvizësh këtu
Është një rrugëtim i pafund
Do të buzëqesh nëse
Në kohën që ngarend, me vete më merr
Edhe videoklipi i kësaj kënge, ku atë e bir luajnë në piano, me shpinat kthyer si simbol i kësaj kënge, mbështetja që një atë do të sigurojë gjatë gjithë jetës për bijtë e tij, është gjithaq emocionues. Muzika e Bocelli-t ka prekur shpirtra gjithmonë.
Andrea Bocelli ka qenë i verbër prej fëmijërisë. Në rini, mund të shihte ngjyrat dhe dritën por një ditë, gjatë një loje futbolli u godit në syrin e djathtë. Prej asaj kohe , ai nuk sheh më asgjë. Mjekët janë përpjekur t’i kthejnë shikimin me disa operacione, por të gjitha përpjekjet rezultuan pa sukses. Por një atë sheh me sytë e zemrës:
I mbyll sytë
Dhe të shoh ngado
Hedh një hap jashtë
Ngjan se në ajër të frymëmarr
Mund të të ndiej atje
Ndërsa në një marrëdhënie sublime të dashurisë dhe besimit atë e bir bashkojnë zërat në refren:
Bjer në mua
Dëgjomë
Bjer në mua
Përqafomë
Aq kohë sa do t’duash
Aq kohë sa do t’duash
Aq kohë sa do t’duash
Aq kohë sa do t’duash
Albumi i tij i ri, ‘Si’ fokusohet në mesazhin e fuqisë së mirë që ka dashuria, familja dhe muzika. Albumi do të dalë gjatë muajit tetor.
Përgatiti: Suadela Balliu
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.