Menaxhim

Falimentimi i Ujësjellësit të Durrësit, ekspertët: Si të shpëtojmë ndërmarrjet e tjera në vend

Nga Gazeta 'SI' - Lajmin e zhytjes në borxhe dhe mbetjes pa asete të ujësjellësit të Durrësit në këtë fillim gushti, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime, AKUM nuk e cilësoi falimentim. Edhe pse nuk kundërshton shifrat e borxheve dhe situatës shumë të vështirë financiare të ujësjellësit, sipas këtij institucioni, kjo është shkrirje e UK-ve në sajë të reformës, me shoqërinë rajonale të Durrësit, e cila merr shërbimet...dhe borxhet.

Por për ekspertin e pushtetit vendor, Agron Haxhimali, falimentim apo jo, ky është tregues se reforma ka dështuar dhe se duhet të ketë një analizë nëse të tjerë ujësjellës do të bien pas asaj të Durrësit.

“Nuk është aspak lajm i mirë. Kjo mbi të gjitha për qytetarët që kërkojnë këtë shërbim jetik dhe bazik, por edhe për faktin se një vit pas reformës, ajo nuk po ecën. Edhe pse riorganizimi është një mekanizëm menaxhimi i mirë në vetvete, duhet të shikojmë dhe analizojmë më thellë. Pse falimentoi kjo shoqëri dhe a është ndonjë tjetër në prag”, shprehet për Gazetasi.al, drejtuesi i Institutit për Bashkitë në vend, Haxhimali.  

Agron Haxhimali, drejtuesi i Institutit për Bashkitë, gusht 2023

Sipas raportit të vitit 2022 nga ERRU (i fundit i publikuar) nga 58 UK, vetëm 3 i mbulojnë të gjitha kostot e veta. 13 vetëm kostot operative dhe të tjerat asnjërën prej tyre, duke pasqyruar gjendjen e rënduar financiare të tyre.

Më tej, Haxhimali shpjegon se çfarë do të (dhe duhet të) bëjë pushteti qendror e vendor dhe se emergjenca është plotësimi i nevojave të qytetarëve me ujë dhe të mos ketë reduktim.

“Ajo që ndodh tani është as më shumë dhe as më pak sesa të zbatohen të gjitha rregullat ligjore që përcakton legjislacion për Riorganizimi i shoqërive UK si Subjekt i Kompetencave të Përbashkëta (SKP-UK) do të kryhet nëpërmjet krijimit të shoqërive të reja aksionare me dy nivele administrimi në përputhje me ligjin. VKM Nr. 302, datë 11.05.2022 ka përcaktuar qarte rolin dhe përgjegjësitë e aksionarëve. Pra çdo bashki që ka aksione duhet të marrë përgjegjësitë” shpjegon eksperti, duke përsëritur se institucionet duhet të marrin përsipër dështimin.

Po ashtu ai tregon dhe se çfarë duhet bërë.

“Të mblidhen aksionarët, të bëhet një organizim drastik dhe efektiv e palët të marrin përgjegjësi. Duhet të nisin negociatat me palët e treta që UKD u ka detyrime. Zgjidhje që varen nga qeveria qendrore dhe lokale“, theksoi ai.

Haxhimali përfundon analizën e tij për Gazetasi.al duke përmendur një efekt dytësor, atë të shkurtimit të vendeve të punës, ndonëse këto shoqëri kanë një numër të pajustifikuar të punonjësve, me kosto të larta për to.

Numri i punonjësve tek shoqëritë UK ka qenë prej vitesh shqetësim i KLSH-së, Kuvendit dhe vetë Entit Rregullator të Ujit. Sipas raportit të Entit në 2022-shin, ujësjellësit në Shqipëri kishin të punësuar rreth 8.000 persona, duke u bërë kështu barra e dytë më e madhe për këto SH.A pas kostove të energjisë. Specifikisht UKD ka një borxh prej 4.3 mld lekësh ndaj OSSHEE-së, duke iu shtuar kështu borxhit të brendshëm pas ‘shkrirjes’ me shoqërinë rajonale. 

UK Durrës, ka tarifat më të larta të në vend për shërbimin e ujit. Sipas ERRU, tarifat për familjarët janë 70 lekë/m3.

Ky ujësjellës, si një pikë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit vendas, ishte përfitues i dy kredive miliona dollarëshe nga Banka Botërore dhe IBRD, për të cilat garanci kishte dhënë shteti shqiptar.

Problemet shtohen më tej në raportin e auditimit për këtë ndërmarrje, ku thuhet se shkak është bërë keqadministrimi i ndërmarrjes dhe se ka bilance të pasakta. UKD ka dërguar të dhëna të tjera nga ato reale në Tatime që nuk përkonin me ato që kishte shoqëria.

Humbjet UK Durrës kishin arritur shifrat e 1 mld lekëve dhe detyrimet e prapambetura 16 mld lekë. Arkëtimet raportohen pothuajse në 70 mln lekë.

Reagimi i djeshëm i AKUM nuk hedh poshtë asnjë nga faktet dhe shifrat e lartpërmendura, vetëm saktëson termin, nga ‘falimentim’ në ‘agregim’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë