Biznes

Falimentimi i fasonëve nisi nga Korça, 550 persona dalin të papunë. Fieri dhe Shkodra në radhë

Nga Gazeta ‘SI’- Falimentimi i parashikuar i fasonëve ka nisur nga qyteti i Korçës. Shoqata ‘Pro-Eksport’ ka lajmëruar se me nisjen e 2024-s janë mbyllur një sërë kompanisë duke lënë të papunë 550 punonjës.

“Kompania ‘Extrem shpk’ në Korçë, që kishte 170 punëtorë, po mbyllet. ‘Spanjel shpk’ po në Korçë kishte 350 punëtorë dhe aktualisht ka vetëm 130. Kompania Damson po në Korçë kishte 70 punëtorë dhe aktualisht ka vetëm 30. Po në Korçë kompania ‘Panspi shpk’ kishte 160 punëtore dhe sot ka vetëm 70. Sipërmarrësja Valbona Vangjeli mbylli fabrikën në Korçë, teksa të tjerat kanë ulur fuqinë punëtore dhe kanë probleme me pagesat nga porositësit, Në Bilisht  ‘Toni Oil shpk’ në në vitin 2023 kishte 140 persona të punësuar, sot ka vetëm 8”, njoftoi Shoqata Pro-eksport.

Por falimentimi po prek edhe Fierin e Shkodrën ku largimet nga puna janë të larta. Në Tiranë sipas shoqatës, firma ‘Shirt&Company – Erman Alba’ kanë larguar 170 punonjës nga puna. ‘Pro-Eksport’ thotë se fabrikat i mbajtën kaq gjatë punonjësit sa për të mbyllur vitin.

“Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve presin që punësimi të pësojë rënie dyshifrore këtë vit. Rënia më e madhe do të jetë në qarqe se sa në Tiranë. Në qarqe ka një rrjet të vogël linjash prodhimi dhe nuk ka mundësi që të bashkëpunojnë më njëra -tjetrën si në Tiranë ku një fabrikë e vogël mund të marrë punë nga një më e madhe. Shoqata Pro-eksport po përballet çdo ditë me njoftime për rënien e punësimit sidomos në rrethe. Në Korçë, Shkodër dhe Fier ka të dhëna për mbylljen e shumë njësive të prodhimit dhe rritje të papunësisë gjithashtu” njofton shoqata.

Ky sektor, që lidhet drejtpërdrejtë edhe me eksportin ka të punësuar rreth 71 mijë persona te deklaruar, por numri pritet të përgjysmohet deri në fund të vitit. Ata po preken nga emigrimi, mungesa e forcës punëtore dhe sigurisht kursit të këmbimit. Këto faktorë po largojnë edhe të huajt që kanë investuar në Shqipëri për krahun e punës dhe kostot minimale.

Paralelisht, kryeministri i vendit i rikujtoi fasonëve se “koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës, ka vdekur.” Rama e quajti të dhimbshme situatën e tyre, por refuzoi t’i japë atyre ndihmë nga buxheti dhe i kërkoi të adaptohen me tregun e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë