Futboll

Faleminderit Franc! Bajern Mynih i bën homazh Bekenbauerit para ndeshjes

Gazeta Si – Momente prekëse në ‘Allianz Arena’ para vërshëllimës për fillimin e ndeshjes mes Bajern Mynihut dhe Hofenheimit. Klubi bavarez ka bërë homazh për Franc Bekenbauerin, legjendën e Bajernit dhe Gjermanisë, i ndarë nga jeta më 7 janar, në moshën 78-vjeçare.

Lojtarët e Bajernit zbritën në fushë për nxemjen të gjithë me fanellën ikonike me numër 5 të Kaiserit. Ishin fanellat e stërvitjes së epokës së ish-kapitenit të famshëm.

Kënga e Bekenbauerit, “Gute Freunde”, është dëgjuar në altoparlantët e stadiumit në momentin e daljes së skuadrave në fushë dhe po ashtu është vendosur sërish sa herë Bajerni shënonte gol.

Para startit të ndeshjes, në qendër të fushës ishte vendosur një banderolë e madhe me figurën e Bekenbauerit. Lojtarët dolën në fushë me një tjetër fanellë speciale, ku shkruhej “Danke Franz” (Faleminderit Franc).

Çdo fanellë do të autografohej pas ndeshjes së sotme, sepse do të ketë një ankand, duke nisur nga e mërkura e 17 janarit. Të ardhurat do të shkojnë për ‘Fondacionin Franz Bekenbauer’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë