Lajme

Evazion fiskal me skemën e TVSH, 13 të arrestuar, 12 në kërkim

Policia ka ndërmarrë një superaksion për vënë në zbatim 25 urdhër ndalimet e lëshuara nga ana e Prokurorisë për personat që akuzohen për evazion fiskal në vlerën e 18 miliardë lekë në dëm të shtetit.
Sipas njoftimeve mësohet se deri më tani janë ekzekutuar 13 urdhër ndalime, ndërsa 12 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Prokuroria e Tiranës bën të ditur se do të vijojë hetimet për identifikimin e saktë dhe të plotë të subjekteve përfituese nga kjo skemë mashtruese.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal 10 153 të vitit 2018 për veprën penale të krijimit të skemave mashtruese me qëllim kreditimin e TVSH, pas hetimeve të para hetimore të drejtorisë së Hetimit Tatimor të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë.
25 personat figurojnë administratorë të subjekteve të dyshuara fiktive që kanë lëshuar fatura të falsifikuara për subjekte të treta me një dëm për buxhetin e shtetit me vlerë 18 miliardë lekë. Hetimet do të vijojnë ne identifikimin e saktë e të plotë të subjekteve përfitues të skemës.
Pas arrestimit të 13 personave në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, si edhe shpalljen në kërkim të 12 të tjerëve, pas akuzës për evazion fiskal me TVSH-në, ka reaguar kreu i qeverisë.
Në një postim në Twitter Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë bizneseve që të mos “luajnë me taksën sepse do t’i gjejë belaja”.
“Ulja e taksave e lehtësimi tërësor i biznesit, synojnë dhe uljen e informalitetit dhe evazionit fiskal!Arrestimi i një duzine shkelësish dhe shpallja në kërkim e një tufe tjetër nga biznesi i madh, për mashtrim me taksat, është mesazh i qartë: Mos luani me taksat se ju gjen belaja”, shkruan Rama.

https://twitter.com/ediramaal/status/1085819749748097024

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë