Njerez

Eva Buzo gruaja e parë që përshkon me not Kanalin e Otrantos, përfundon me sukses sfidën nga Italia në Shqipëri! 92 km për 35 orë e 17 minuta (Video)

Nga Gazeta Si- Eva Buzo ka përfunduar udhëtimin e saj prej 35 orësh e 17 min dhe 92 km nga brigjet e Leces, deri në Gadishullin e Karaburunit, ku dhe ka prekur tokën Shqiptare në një nga gjiret e Karaburunit, në afërsi të kepit të Gjuzës.

Një udhëtim i vështirë për avokaten me origjinë shqiptare pasi vitin e kaluar ndërpreu sfidën në mes për shkak të komplikacioneve, sot e përfundoi rrugëtimin e saj me sukses, duke treguar forcë fizike dhe psikologjike.

Ajo ka ndaluar shumë pak dhe udhëtimi ka qenë konstant. Nuk ka pasur asnjë problem gjatë udhëtimit prej 35 orësh. Në momentin e mbërritjes Eva nuk ishte në gjendje të flasë për shkak të mpirjes. Ndërkohë raportohet se gjendja e saj është shumë e mirë.

Avokatja Buzo ka treguar prej kohësh një dëshirë për të kaluar brigjet detare me not.

Herën e parë nuk ia doli për shkak të në sërë problemesh, siç u shpreh ajo.

Ishte gjendja jo e mirë shëndetësore dhe pickimi i një kandili deti që e detyruan Buzon të ndalonte pas 28 orësh.

Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar Eva Buzon e cila ia doli që të përshkojë me not Itali-Shqipëri.

“Një histori mbresëlënëse ajo e Eva Buzos, avokatja shqiptare, e cila ka shënuar një rekord në not duke përshkruar 92 km nga brigjet e Italisë deri në Vlorë. Një udhëtim në ujë prej 34 orësh për Evën, e cila sfidën e lënë në mes vitin e kaluar, u rikthye për ta përfunduar këtë vit, me një forcë fizike dhe psikologjike të jashtëzakonshme”, shkruan Rama.

Buzo është në gjendje të mirë shëndetësore. Nesër, pasi të qetësohet dhe të nisë të flasë, Buzo do të japë një konferencë për mediat.

Avokatja ende nuk mund të flasë, për shkak të ënjtjes së gojës nga kripa. Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha e ka vizituar sot Buzon në spital.

“E paparë, është një gjë që nuk para ndodh shpesh”, tha ai, duke e përgëzuar për arritjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë