Menaxhim

Eurostat: Shqipëria ka arritur synimin e vitit 2030 në konsumin e energjisë së rinovueshme

Nga Gazeta ‘SI’ – Eurostat e liston Shqipërinë si një ndër vendet më të qëndrueshme bazuar në burimet e rinovueshme energjetike për vitin 2022. Sipas grafikut, Shqipëria është një nga pak vendet që kanë arritur që tani targetin e 2030-s për të përdorur energjinë e rinovueshme në masën e 40%. Vendi jonë raportohet ta ketë në 44%. Eurostat tregon se që nga 2009-a ky tregues është rritur progresivisht për Shqipërinë.

Aty nuk përfshihet vetëm energjia elektrike që Shqipëria e ka 100% nga burime të rinovueshme, kryesisht hidrike, por edhe llojet e tjera të saj.  

Në rajon mbajmë vendin e parë, ndjekur nga Maqedonia  e Veriut me rreth 40%. Në Europë Shqipëria renditet fill pas vendeve me sistem energjetik tepër të qëndrueshëm si Suedia, Finlanda e Norvegjia.

Vetëm në 21% të rasteve, Shqipëria përdor energjinë e rinovueshme për ngrohje, nën mesataren europiane (23%), lidhur kjo me përdorimin e lartë të ngrohjes me dru në vendin tonë.

Suedia kryeson mes vendeve të Be-së, me gati dy të tretat e konsumit total të energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme në vitin 2022. Ajo mbështetet kryesisht në hidro, erë, biokarburantet e ngurta dhe të lëngshme, si dhe në pompat e nxehtësisë. Pas saj vjen Finlanda (47.9%) e cila edhe ajo mbështetet në të njëtat burime, ndërsa e treta, Letonia (43.3%), e cila varet më së shumti nga hidrocentralet.

Përqindjet më të ulëta të burimeve të rinovueshme u regjistruan në Irlandë (13.1%), Maltë (13.4%), Belgjikë (13.8%) dhe Luksemburg (14.4%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë