Art dhe Kulture

Eurosong, Greqia dhe Turqia me të votuarat nga Shqipëria

Të dielën do të provojmë një shije miks ndjenjash në Eurovizion. Do të ngazëllehemi e emocionohemi trefish me Eugent Bushpepën që përfaqëson Shqipërinë dhe do të bëjmë tifo dhe për Elenin e Qipros dhe Ermal Metën e Italisë, dy shqiptarë të tjerë.

Por do të fillojmë të inatosemi kur të shikojmë se vota për konkurrentët do të orientohet sipas gjeopolitkës dhe fqinjëve, ku tanët janë më pak në numër. Përherë kështu është votuar dhe shpesh pikët e pakta i kemi justifikuar me këtë kontekst dhe jo për shkak të këngës dhe përfomancës.

Anjeza Shahini gjatë performancës në gjysëm finale, 2004

Shqipëria, prej vitit 2004 ku u prezantua për herë të parë me Anjeza Shahinin në edicionin që mbahej në Stamboll të  Turqisë, ka marrë shpesh vlerësime për performancat, gjithashtu ka arritur të renditet në dhjetë vendet e para, ku pozicionin më të lartë e mban Rona Nishliu në vendin e pestë, duket një vend i vogël e i papërfillshëm në politikën e madhe gjeografike. Rezultatin më të keq Shqipëria e ka marrë në vitin 2007 ku u rendit e 17-a    në gjysmëfinale, pa mundur t’ia dalë në mbrëmjen  finale, prezantuar nga Frederik dhe Aida Ndoci.

E megjithëse nga fqinjët arrijmë të marrim pikë të larta, madje edhe maksimale, kjo ndodh për shkak të votimeve nga emigrantët shqiptarë  në këto vende apo shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi, më shumë sesa prej politikës së fqinjësisë së mirë të vendeve Ballkanike

Po e jemi dhe ne kaq  të drejtë në votime saç mendojmë se nuk janë të tjerët?

Sipas të dhënave të mbledhura në vite Shqipëria ka vlerësuar më shumë këngëtarët përfaqësues të shtetit fqinj, Greqisë me 63 pikë,  po kështu Turqia ka qenë mjaft e kuotuar me pikë nga ne me 53 në total të viteve pjesëmarrëse, ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 35, Holanda me 22 dhe Spanja me 19 pikë.

Nderi duket se na është kthyer me të njëjtën masë nga këto vende ku Shqipërinë e ka votuar historikisht me pikë të larta Maqedonia, e kuptueshme  duke marrë parasysh numrin e popullsisë shqiptare atje, Greqia po ashtu na ka votuar ndër vite me një total prej 37 pikësh, Zvicra ( edhe kjo kuptohet prej diasporës shqiptare atje) me 31 pikë, Kroacia me 21 dhe Turqia me 19 pikë në total.

Këngëtarja greke gjatë performancës në gjysem finale, 2018

Megjithatë vihet një ndryshim drastik në pikët që Shqipëria jep zakonisht për fqinjët ku vitin e kaluar e ka votuar performancën e Greqisë me 1 pikë, ndërsa ka vlerësuar maksimalisht me 12 pikë  Italinë. Shteti fqinj aq shumë i dashur nga ne që këtë vit përfaqësohet nga shqiptari Ermal Meta ka një histori pak kontraverse me Eurovizionin, të cilit i ka munguar prej shumë kohësh dhe i është rikthyer vetëm prej pak vitesh. Kjo bën që të mos e shohim Italinë si një prej vendeve, të cilët e votojnë tradicionalisht Shqipërinë në Eurosong Contest.

Një tjetër rast i veçantë ka qenë edhe ai i vitit 2016, kur Shqipëria i ka dhënë 8 pikë këngës italiane, me 10 pikë ka vlerësuar Francës dhe 12 pikë i ka dhënë Auastralisë. Gjesti i këngëtares australiane Dami Im bëri lajm pasi formoi me duar simbolin e shqiponjës në falendërim për shqiptarët.

Shqipëria gjithashtu u përfshi  më 2016 –ën në debat ku bordi organizues i festivalit Eurovision  kërkoi anulimin e pikëve të dhëna nga Maqedonia dhe Mali i Zi për Shqipërinë , e  cila atë vit u përfaqësua nga këngëtarja Eneda Tarifa.

Zyra e të "Eurosong Contest",  pretendoi se dy shtetet fqinj kishin thyer rregullat që përcaktojnë se pikët përfundimtare të një shteti përcaktohen 50% nga votimi i publikut dhe 50% nga juria profesioniste e atij shteti. Ata nuk ishin bazuar në një juri profesioniste, por vetëm në rezultatin e televotimit.

Eurovizioni kohë për reflektim nacionalizmash

Duket s ngjarja e Eurovizionit i bën njerëzit të rikonsiderojnë pozicionet e tyre, duke reflektuar mbi identitetin kombëtar, ngatërresat e një sistem votimi të vjetruar tashmë, marrëdhëniet me fqinjët europianë dhe efektet që ka.

Festivali Europian i Këngës Eurovision u krijua më 1956 –ën për të bashkuar vendet europian pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore, por modelet e votimit duket se tregojnë se disa zona janë më të bashkuara se të tjerët.

Duket se disa grupe shtetesh priren të favorizojnë njëri-tjetrin në natën finale, duke krijuar atë që njihet si blloqet e votimit.

Ndërsa parametrat e saktë të blloqeve të votimit variojnë lehtë nga një studim në tjetrin, kryesoret janë:

  • Ballkani – vendet e ish Jugosllavisë, si edhe Rumania e Shqipëria.
  • Ish Bashkimi Sovjetik dhe shtetet e tij satelite në Europën Lindore
  • Skandinavia – kjo përfshin vendet kryesore nordike si edhe Islandën, Lituaninë, Danimarkën dhe Letonin. A do të kishin qenë aq të suksesshëm ABBA-t nëse nuk do mbështeteshin në pikët e Finlandës dhe Norvegjisë?

Megjithëse duket e qartë se shtetet votojnë pozitivisht për fqinjët e tyre, kjo nuk do të thotë se vendet e tjera, ato të Europës Perëndimore diskriminohen. Sipas statistikave nga UCLA dhe  Imperial College ka zbuluar se asnjë shtet i Europës Perëndimore nuk i jep fqinjit pikë të ulëta.

Megjithatë ka plot anekdota që tregojnë të kundërtën. Më 2014 –ën Armenia ( e cila u rendit  e katërta në festival) u rendit e fundit në televotimin e Azerbajxhanit dhe po ashtu nga juria azerbajxhanase. Votuesit armen i kthyen reston Azerbajxhanit. Mendohet se arsyeja pas këtij votimi negativ  ishin ndjesitë e këqija nga lufta në Nagorno-Karabakh, e cila përfundoi më  ’94.

A është politike?

Në disa raste, lidhjet gjeografike janë të vështira për t’u shpërfilluar. Në vitin 2015, në ditën kur Irlanda votoi për të legalizuar martesat gay. Rusia, me rekordet më të këqija në të drejtat e homoseksualëve – ishte një hyrje e debatueshme. Pavarësisht rezultateve të larta të këtij shteti në Eurovizion ( ata kanë dalë në treshen më të mirë shtatë herë në 15 vitet e fundit), shumë njerëz ishin të pasigurt për mënyrën  sesi do të pritej këngëtarja Polina Gagarina. Në skenë u vendosën edhe reduktues të tingujve kundër fërshëllimave.

Pse Kina censuroi Shqipërinë në Eurovizion 2018?

Gjatë  natës së parë gjysmëfinale të  Eurovision Song Contest 2018, Mango TV, televizioni kombëtar i Kinës e  transmetoi natën e parë të festivalit me vonesë, duke bërë disa redaktime dhe ndryshime. Performancat e dy shteteve u hoqën plotësisht nga spektakli u transmetua në ekranin e Mango TV dhe  bëhej fjalë për performancën e Shqipërisë dhe Irlandës. Performance e Eugent Bushpepës  u për shkak të një rregulloreje, e cila ndalon artistët me tatuazhe të shfaqen në television. Ky rregull hyri në fuqi në janar të këtij viti.

Gjithashtu është hequr edhe momenti kur Eugenti shfaqet gjatë prezantimit të kualifikuesve, duke transmetuar vetëm reagimin e delegacionit dhe jo atë të këngëtarit.

Gjatë perfomancës së këngës se Irlandës

Edhe performanca e Irlandës është hequr nga transmetimi në ekran për shkak se qeveria kineze ndalon transmetimin e shfaqjeve të marrëdhënieve të gjinisë së njëjtë në televizion. Performanca e Ryan O’Shaughnessy-t shfaqi në skenë dy balerinë djem në një kërcim bashkëkohor duke treguar historinë e dashurisë mes dy djemve.

Mango TV gjithashtu censuroi flamurët-ylber të njohur si flamurët e komunitetit LGBT, duke vendosur një efekt të mjegullt mbi to sa herë që shfaqeshin në ekran.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë