Sport

Peshëngritja, Shqipëria kërkon medalje me 5 sportistë në Europian

Ka nisur pasditen e së shtunës kampionati europian i peshëngritjes në Batumi të Gjeorgjisë. Shqipëria përfaqësohet në këtë eveniment me 5 peshëngritës dhe asnjë peshëngritëse. Kështu bashkë me kampionin e trefishtë të Europës, Briken Calja që garon në peshën 73 kg do të jenë edhe 4 sportistë të tjerë. Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli që pretendojnë medalje në këtë kompeticion, garojnë në peshën 81 kg, Krenar Shoraj në peshën 89 kg dhe Endri Karina në klasin 102 kg.

Vendi ynë shkon në këtë eveniment me objektivin e qartë, që të përmirësojë rezultatin e një viti më parë dhe pse jo te kemi dy kampionë Europe. Për Briken Çaljan misioni është që mbrojë tre medaljet e marra në Rumani vitin e shkuar dhe grumbullimi i sa më shumë pikëve për në Olimpiadën e Tokios 2020. Kampioni i Europës në fuqi do të ngjitet në pedanë më datë 9. Por edhe peshëngritësit e tjerë, sidomos Qerimaj dhe Godelli shikohen si pretendentë për të marrë medalje këtë kampionat dhe të mbledhin sa më shumë pikë për Olimpiadën që po afron. Të dy këta peshëngritës do të garojnë në datën 10 bashkë me Shorajn e peshës 89 kg. Ndërsa Endri Karina do të ngjitet në pedanë më datë 11.

Për herë të parë në 20 vitet e fundit Shqipëria udhëton drejt një kampionati europian pa një peshëngritëse pjesë të delegacionit. Asnjëra nga sportistet kuqezi, nuk ka mundur dot të jetë gati për këtë kompeticion, disa për shkak të dënimeve dhe te tjera për shkak të dëmtimeve. Kampionati europian i peshëngritjes në Batumi të Gjeorgjisë ngriti siparin më datë 6 dhe përfundon më datë 13 prill. Ndryshe nga herët e tjera ky kompeticion do të zgjasë vetëm 7 ditë dhe gara pritet të jetë shumë e fortë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë