Nga Liridon Mulaj- Ka nisur turi i prezantimit para festivalit Europian të këngës përfaqësuese të Shqipërisë dhe grupit “Shkodra Elektronike”.
Amsterdam, Oslo, Basel, Selanik dhe Londër janë vetëm disa nga ndalesat e këngës sonë përfaqësuese “Zjerm” ku duket se publiku europian e ka pritur me entuziazëm pasi duatrokitjet dhe komentet pozitive nuk kanë munguar.
Buxheti i këtij viti prej 150.000 eurosh, është më i madhi ndonjëhërë për një këngë përfaqësuese në Eurovizion, e gjithashtu promovimi i saj nëpër shtete të ndryshme të Europës , na bën te besojmë se këtë vit përfaqësimi do të jetë dinjitoz. Së paku këtë na thonë edhe sondazhet online.
Parashikimet për “Zjerm”
Faqja e EurovizionWorld.Com e cila në Pollin e dhjetë viteve të fundit, ka parashikuar fituesin brenda treshes me të votuar, e rëndit “Shkodra Elektronike” në vendin e katërt me 6 përqind mundësi të fitimit të festivalit.

Ndërsa në faqen më të madhe mbështetëse të Eurovisionit, “Wiwiblogs”, në sondazhin e publikuar në faqen e saj, kënga “Zjerm” rënditet e para me 11.06 përqind të votave. Gjithashtu nga votat e 37 anëtarëve të një jurie jo profesionale , Shqipëria rënditet e pesta.

Kënga që lindi si mundësi e promovimit të albumit
Për “Wiwiblogs Channel”, Beatriçe Gjergji rrëfën se ishte Kola ai që i telefonoi për pjesëmarrjen në festival, duke qënë se albumi ishte gati.
“ Kola më telefonoi këtë verë dhe më tha, meqë po bëjmë gati albumin a marrim pjesë dhe në festival. Kam një bazë shumë të mirë e cila mund të na japë sapak emër për ti shërbyer albumit. Kur unë i dërgova demon Kolës, ai krijoi muzikën e mrekulleshme. Ne jemi një dyshe që bëjmë çfarë të duam me muzikën, më skenën, me performancat pa ndjekur rregulla ose modele të caktuara” thotë Gjergji.
Ndërsa Kolë Laca , pjestari tjetër i grupit thotë së muzika e tij elaboron traditën e maleve të veriut.
“ Une dëgjoj muzikën e vjetër tradicionale të veriut dhe mandej e manipuloj paksa me ritëm modern. Nisem nga kënga origjinale dhe pastaj ia dërgoj bazën Beatriçes. Ajo bën tekstin dhe e krijon në bazë të muzikës dhe idesë” thotë Laca

Andri Xhahu: Elementët që kuriozojnë të huajt.
Gazetari i Radio Televizonit Shqiptar dhe imazhi i Shqipërisë në votimin në Eurovizion, Andri Xhahu thotë për GazetaSi.al se kënga është pritur shumë mirë në të gjitha shtetet.
“ Në Amsterdam, Londër, Oslo e kudo na pyesin se pse Shqipëria nuk ka pasur një këngë të tillë më parë. Gjithashtu na vënë në dukje se këngën e admirojnë për disa elementë që nga kërcimi karakteristik i Beatriçes, elementët tradicionalë që përmban kënga, teksti por edhe për gegënishtën në të cilën këndohet”
Ai thotë se touri Europian vazhdon në Madrid dhe shtete të tjera.
“ Do të ketë sërish disa shtete të tjera ku kënga jonë do të përfaqësohet. Këtë të shtunë “Shkodra Elektronike” do të performojë në Madrid para fansave spanjollë” përfundon Xhahu.

Entuziazmi për këngën përfëqësuese të këtij viti në Bazel është i madh. Kjo nisur jo vetëm nga komentet dhe pëlqyeshmëria e publikut shqiptar, por edhe atij europian i cili e ka vlerësuar dhe mbështetur këngën me klikime, komente dhe votime në polle dhe sondazhe të ndryshme. Por ( sepse ka gjithmonë një por) në Eurovizion prej vitesh tashmë, si në politikë dhe ekonomi, duket se mbizotërojnë aleancat mes shteteve ku thuajse vlera artistike e përfaqësimit, nuk është më kriter.
Gjithsesi, në datat 13, 14 dhe 17 Maj ( nëse arrijmë finalen) skena e “St. Jakob Park” në Bazel do të ndizet nga “Zjermi” i “Shkodra Elektronike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.