Analize

Europianët po humbasin shpresën për ta mbajtur SHBA-në në NATO

Donald Trump është i tërbuar nga refuzimi i tyre për të ndihmuar në luftën e tij kundër Iranit

Nga Gazeta ‘Si’– Kriza e Suezit, lufta e Vietnamit dhe pushtimi i Iraku tregojnë se konfliktet jashtë Europës kanë pasur gjithmonë prirjen të përçajnë NATO-n.

Sot, fushata ajrore e Amerikës, në krah të Izraelit, kundër Iranit rrezikon ta çojë këtë përçarje në një nivel edhe më të rrezikshëm, duke vënë në pikëpyetje vetë qëndrueshmërinë e aleancës.

Donald Trump është bërë gjithnjë e më armiqësor ndaj aleatëve europianë, i irrituar nga refuzimi i tyre për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nga pengesat që disa vende i kanë vendosur operacioneve amerikane në Lindjen e Mesme.

Në një reagim të ashpër në rrjetet sociale, ai i quajti europianët “frikacakë”, duke paralajmëruar se do ta mbajë mend këtë qëndrim.

Në intervista të fundit, ai ka pranuar se po e konsideron “absolutisht” mundësinë e largimit nga NATO, megjithëse nuk e përsëriti këtë kërcënim në fjalimin e 1 prillit për luftën me Iranin.

Retorika e tij është mbështetur edhe nga Marco Rubio, dikur një nga mbrojtësit më të fortë të aleancës transatlantike, i cili tani e përshkruan NATO-n si “një rrugë njëkahëshe” dhe paralajmëron rishikim të marrëdhënieve pas përfundimit të konfliktit.

Ky ndryshim ka krijuar një atmosferë të zymtë në kryeqytetet europiane, sidomos duke pasur parasysh se vetë Rubio kishte mbështetur një ligj në vitin 2023 që synonte të ndalonte një largim të njëanshëm të SHBA nga NATO pa miratimin e Senatit.

Si pjesë e administratës Trump, ai duket se po tërhiqet nga kjo linjë, duke dobësuar një nga frenat kryesore ndaj një vendimi të tillë.

Sipas Ivo Daalder, kjo është periudha më e vështirë që ka kaluar ndonjëherë NATO.

Ai argumenton se vendet europiane duhet të ndalojnë përpjekjet për të bindur Trump-in dhe të fokusohen në forcimin e kapaciteteve të tyre ushtarake, pasi refuzimi për të mbështetur luftën ka dobësuar argumentin e amerikanëve që e shohin Europën si një bazë strategjike për projeksionin global të fuqisë.

Në të njëjtën kohë, përçarjet brenda Europës janë bërë të dukshme. Pedro Sánchez ka mbajtur qëndrimin më të fortë, duke refuzuar rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe duke mbyllur hapësirën ajrore për operacionet amerikane.

Franca ka ndjekur një linjë më të matur, por gjithsesi ka refuzuar disa kërkesa të SHBA-së, gjë që ka shkaktuar reagimin e Trump-it. Britania e Madhe, megjithëse fillimisht hezituese, ka lejuar përdorimin e bazave vetëm për qëllime mbrojtëse, me kryeministrin Keir Starmer që thekson vazhdimisht se kjo nuk është lufta e vendit të tij.

Edhe Italia ka vendosur kufizime ndaj operacioneve amerikane.

Ndërkohë, Trump ka flirtuar prej kohësh me idenë e largimit nga NATO, ndërsa marrëdhëniet me aleatët janë përkeqësuar edhe nga afrimi i tij me Rusinë dhe tensione të tjera, përfshirë çështjen e Groenlandës.

Lufta me Iranin duket se po e çon këtë pakënaqësi në kulm, duke shtuar frikën se SHBA mund të tërhiqet, qoftë edhe pa një vendim formal.

Edhe pa u larguar zyrtarisht, SHBA mund ta dobësojë rëndë aleancën duke tërhequr trupat nga Europa ose duke ndryshuar strukturën e komandës ushtarake. Një diplomat europian në Uashington pranon se për vite me radhë kishte minimizuar rrezikun, por tani është realisht i shqetësuar për të ardhmen e NATO-s.

Në këtë klimë, Mark Rutte pritet të vizitojë Uashingtonin për të qetësuar situatën, ndërsa vendet europiane po diskutojnë mënyra për të rritur presionin ndaj Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për ekonominë globale që transporton një pjesë të madhe të naftës dhe gazit në botë.

Megjithatë, ndarjet mbeten të thella.

Disa vende europiane kërkojnë një mision pa përfshirjen e SHBA-së, ndërsa të tjera këmbëngulin që Amerika duhet të marrë drejtimin. Emmanuel Macron e konsideron të pamundur rihapjen e ngushticës me forcë pa një armëpushim dhe rikthim të negociatave.

Në fund, një zyrtar finlandez jep një vlerësim të zymtë: situata mund të ketë kaluar pikën ku Europa mund të ndryshojë qasjen e Trump-it.

Në këto kushte, alternativa më realiste është forcimi i shtyllës europiane të NATO-s, jo vetëm për të bindur SHBA të qëndrojë, por edhe për t’u përgatitur për një skenar ku ajo mund të largohet.

// The Economist

 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë