Eurodeputetja qipriote Eleni Theocharous, të cilën Shqipëria e ka shpallur “non grata”, paralajmëron kryeministrin Edi Rama se do të paguaj një çmim të rëndë.
Në atë që duket të jetë deklarata më e ashpër, Theocharous shprehet se “Greqia duhet të kishte pezulluar çdo proces integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pas vrasjes së Kaçifas”.
“Kaçifas me veprimin e tij u bë i rrezikshëm. Ai po fliste, luftonte, nuk kishte frikë. Pra, ai duhej të heshte. Rama nuk arriti të na trembë. Sepse ne ishim të gjithë atje”, thotë eurodeputetja.
Ajo ka folur për mediat greke, duke thënë se “Athina ka përgjegjësi kombëtare, historike, morale dhe politike ndaj të gjitha grekëve kudo që ata jetojnë përfshirë këtu edhe ata të Epirit të Veriut”, pasi sipas saj “grekët aty jetojnë nën terror dhe shtypje”.
Ajo beson se në “Epirin e Veriut” bëhet spastrim etnik, ndërsa i kërkon qeverisë greke që të financojë shkollat, universitetet dhe spitalet.
“Ajo duhet të mbështesë çdo biznes të vogël të Epirit të Veriut, të japë status të privilegjuar për produktet e tyre. Të dërgojë vizitorë në zonat historike dhe turistike të Epirit të Veriut. Të rinjtë të shkollohen në universitetet greke me çmime të lira dhe të kthehen dhe të punojnë për vendin e tyre për të paktën 5 vjet”, u shpreh ajo.
Eurodeputetja qipriote, Eleni Theocharous u shpall person i padëshirueshëm në shtetin shqiptar, pas një vendimi të bërë publik nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Arseyja e këtij vendimi lidhej me shfaqjet e përsëritura ekstremiste të eurodeputetes dhe prononcimet e saj që nxisin urrejtje dhe cenim të rendit kushtetues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




