Nga Gazeta ‘Si’-Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës dhe e quan të padrejtë kushtëzimin me Asociacionin.
Tani kur ka mbetur një javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës, Kosovës po i kërkohet nga shtetet kryesore europiane që ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.
Me këtë qasje të shteteve mike nuk po bie dakord kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili gjatë një konference për media tha se kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd.
“Shpresoj që Kosova do të rikthehet në agjendë për javën e ardhshme kur do të mblidhet Komiteti i Ministrave në Këshillin e Europës, sepse Kosova me të vërtetë i ka plotësuar kriteret për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Raportin e Dora Bakoyannis e kanë mbështetur shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, prandaj Kosova duhet të rikthehet në agjendë”, thotë ai.
Deputeti holandez e sheh të padrejtë kushtëzimin e Kosovës me Asocacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai i ka bërë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të ndryshojnë qëndrim para mbledhjes së Komitetit të Ministrave që do të mbahet javën e ardhshme.
“Më zhgënjim po e shoh se disa shtete të rëndësishme tani po kërkojnë diçka nga Kosova që nuk ka qenë e parashikuar më herët për t’u bërë anëtare në Këshillin e Europës. Me të vërtetë mendoj se është një qasje e padrejtë. Prandaj po i bëj thirrje këtyre shteteve që të ndryshojnë qëndrim. Kosova e ka pranuar se do të punojë për themelimin e Asociacionit, por kjo çështje nuk duhet të përfshihet në Këshillin e Europës” , shprehet eurodeputeti holandez.
Dy shtetet kryesore të Evropës, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.