Euro Retro

Euro 1992, shpërbërja e të kuqve

Nga Mendrit Shehu - Është një nga ato ngjarje që lënë gjurme dhe mbeten në arkiva. Një nga ato data, që shënojnë fundin e një historie dhe fillimin e një tjetre.  Tranzicionit të vendeve të Lindjes në fundin e viteve `80 dhe fillimin e viteve `90 nuk mund t’i shpëtonte as Shqipëria komuniste. Përfaqësuesja jonë u pozicionua në Grupin 1 të eliminatoreve të “Suedi 1992” së bashku me Francën, Çekosllovakinë, Spanjën dhe Islandën. Kombëtarja merr avionin për në Paris në një klimë të ndezur zgjedhjesh, ku për herë të parë një parti opozitare do të triumfonte në zgjedhje demokratike.

Vata dhe Boli

Mëngjesin e 30 marsit 1991 do të ishte sa një humbje e madhe po aq edhe një ndeshje e çuditshme në ecurinë e saj. Përpara ndeshjes, në aeroportin e Gjenevës, tre futbollistë, Kaçaçi, Ibro dhe Leskaj i thonë lamtumirë Kombëtares dhe Shqipërisë duke u arratisur. Peripecitë e kësaj kombëtare, nuk mbarojnë këtu. Në ditën e ndeshjes ekipi rrezikonte të mbetej edhe pa ngrënë. Emigrantë shqiptarë të panjohur që silleshin rreth skuadrës, kishin asgjësuar drekën që ishte shtruar për kombëtaren, duke u paraqitur në emrin e futbollistëve.

Zgjedhjet 1992

Pikërisht ditën e ndeshjes, Shqipëria i kishte dhënë fund fushatës së parë elektorale demokratike. Në emër te ndryshimit do votonin edhe futbollistet e kombëtares. Në jehonën e thirrjeve “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ekipi votoi në ambasadë. “Gjelat” e Platinisë pasi arritën të fitonin 1-0 në “Qemal Stafa”, na ‘’turpëruan’’ 5-0 në Paris, në një ‘’Parc-des-Princes’’ me 40.000 tifozë.

Në Shqipëri ka fituar demokracia! Katër lojtarë të tjerë të Kombëtares,  ‘’arratisjen’’ e kishin lëne për pas ndeshjes. Janë Kepa, Gjergji, Suka dhe Rudi Vata që preferojnë arratisjen, duke medituar për një Shqipëri ndryshe.  

Ndërkohë që Shqiptaret vendosnin me votë, për lojtarët e arratisur nuk ishte e lehtë. Ata që në Shqipëri trajtoheshin si futbollistë profesionistë, duhet te kënaqen me kategorinë e 4 dhe të gjejnë një punë. Por edhe për dy lojtarët me rrugëtim të njëjtë, fati do ti rezervonte kapriço të ndryshme. Josif Gjergji do ta mbyllte jetën dhe karrierën në Francë, ndërsa për Rudi Vatën do të vinin propozimet e para.

Në Dublin, në ndeshjen e Shqipërisë përballë vendasve, në stadium ndodhej edhe trajneri i Celtic, Liam Brady. Ai do ta pikaste shkodranin dhe do të kërkonte me çdo kusht ta kishte në ekip. Pikërisht në Skoci, Vata do të niste një karriere brilante, ku do të behej idhulli i tifozëve, duke fituar respektin e të gjithëve.

Ndeshja me Francën do të rezultonte një kthese e fortë në jetën e Josif Gjergjit dhe Rudi Vatës. Fatkeqësia natyrore do ndante Gjergjin nga ëndrra për tu bërë një dite futbollist profesionist ne Perëndim, ku gjatë një ndeshje pëson atak në zemër.  Pas shume vështirësive Rudi Vata do t’ia dilte. Ajo ndeshje France-Shqipëri e 31 Marsit 91, ndeshja e fundit e kombëtares së komunizmit, mbetet një nga momentet më të rëndësishme, një nga ato momente qe të ndryshon gjithçka në jetë.

Ashtu si në eliminatoret e shkuara, kuqezinjtë e Bejkush Birçes u renditën në vendin e fundit në grup, por ndryshe nga eliminatoret e “Gjermani P. 1988”, të cilën Shqipëria e mbylli në kuotën e 0 pikëve pas 6 ndeshjesh, kësaj radhe Kombëtarja arriti një fitore.

Ndeshja në Tiranë me iberikët nuk do të zhvillohej për shkak të trazirave që kishin përfshirë kryeqytetin. UEFA vendosi që takimi i fundit në Grupin 1 më 18 dhjetor të vitit 1991 të mos rikuperohej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë