Kosova

EULEX bastis shtëpinë e ish-kreut të Kuvendit të Kosovës

EULEX ka bastisur shtëpinë e ish-kreut të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Vetë misioni ndërkombëtar i sundimit të ligjit në Kosovë nuk ka dhënë detaje në lidhje me këtë aksion, por mendohet se pas tij qëndrojnë përpjekjet për gjetjen e provave të mundshme për akuzat e krimeve të luftës me të cilat përballet Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Bastisja ka ndodhur paraditen e kësaj të mërkure. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kërkoi nga të gjitha palët që të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë. Ai tha gjithashtu se ky është një tjetër shembull se Kosova dhe institucionet e saj respektojnë institucionet e drejtësisë.

Në lidhje me aksionet e fundit të EULEX ka reaguar edhe klasa politike në Kosovë, duke deklaruar se askush dhe asgjë nuk mund të njollosë luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë, nga Haga raportohet se Gjykata Speciale i ka kërkuar prova shtesë Prokurorisë Speciale për dosjen në ngarkim të Presidentit Hashim Thaçi. Ky i fundit dëshmoi gjatë verës për ditë me radhë para prokurorëve specialë, të cilët ende nuk kanë marrë vendimin e miratimit të aktakuzës, apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë