Rend dhe Ligj

Esmeralda Keshi u zgjodh anëtarja e 11 e KLP, konkurroi me Vladimir Marën

Vladimir Mara dhe Esmeralda Keshi ishin dy kandidatët për një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa asambleja e Përgjithshme e Prokurorëve që u thirr sot nga kryeprokurorja Arta Marku, zgjodhi Prokuroren e Dibrës për të zënë vendin vakant të lënë nga Gentian Osmani, pas shkarkimit që bëri Komisioni i Posaçëm i Apelimit, si pjesë e organeve të Vettingut.
Dy anëtarët shpalosën sipas procedurës alternativat e tyre duke i bërë thirrje kolegëve që të votojnë për t’u zgjedhur si anëtar të KLP-së.

Prokurorët në Asamblenë e Prokurorëve, Esmeralda Keshi duke takuar kolegët


Vladimir Mara është prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dosja më e nxehtë është ajo ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahirit. Gjykata ia rrëzoi akuzat ndaj Tahirit, por sërish Prokuroria ka bërë apelimin ndaj këtij vendimi. Mara kandidoi edhe për të qenë pjesë e SPAKU-t, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk e kualifikoi si kandidat.

Kryeprokurorja Arta Marku duke votuar në Asamblenë e sotme, ku do të zgjidhet anëtari i KLP-së


Ndërsa Esmeralda Keshi (Cami) ka qenë drejtuesve e Prokurorisë së Dibrës. Kjo prokurori u kthye në qendër të vëmendjes pas vendimit që Prokurori e Krimeve të Rënda mori për t’ia deleguar dosjen e zgjedhjeve me numër 184 në Dibër. Prokurorja nuk e mori në dorë këtë çështje për shkak të konfliktit të interesit që ka, pasi një i hetuar është Arben Keshi, emri i të cilit del në përgjimet e organet të akuzës.


Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte mbetur me 10-të për shkak të përjashtimin e Gentian Osmanit nga sistemi. Kjo është hera e dytë që Asambleja e Prokurorëve mblidhet për të zgjedhur anëtar të KLP-së. Më herët ky këshill zgjodhi Vatë Stakajn, pasi shkarkimit të Antoneta Sevdardit

Vladimir Mara një nga kandidatët për anëtarë të KLP-së. Gazerta Si, 4 tetor 2019


Prokurorja Esmeralda Keshi është zgjedhur anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me 133 vota pro duke sfiduar prokurorin Vladimir Marën. Prokurori Mara arriti të marrë 109 vota duke humbur kështu betejën me kandidaten tjetër.Këshilli i Lartë i Prokurorisë është në fazën e zgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Në garë janë Arta Marku, kryeprokurorja e Përkohshme, Fatjona Memçaj dhe Osljan Çelaj. Plotësimi i vendit vakant të KLP-së shihet edhe si domosdoshmëri pasi vota e njërit prej të zgjedhurve në këtë garë të Marës apo Keshit mund të jetë vendimtare do të ndikojë në sistemin e pikëzimit të tre rivalëve në garë për Prokuror të Përgjithshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë