Nga Gazeta Si – Shqipëria ka ndër normat më të larta të të rinjve të cilët jetojnë më prindërit, krahasuar me vendet e Europës.
Sipas të dhënave, Shqipëria renditet e treta në Europë me 25.6% të të rinjve të grupmoshës 18 deri në 34 dhe që jetojnë në një shtëpi me prindërit e tyre.
Sociologe Marsida Simo shpjegon për Gazetasi.al se pse vazhdon të ndodhë kjo dukuri dhe kur mund të ndryshojë.
“Të rinjtë në vendin tonë qëndrojnë me prindërit e tyre për arsye kulturore dhe ekonomike. Megjithatë edhe kur arrijnë të kenë të ardhura të qëndrueshme, preferenca apo nxitja është qëndrimi me prindërit”, thotë Simo. Ajo shton se kjo vazhdon më shumë si mendësi për një pjesë të djemve edhe pasi martohen.
Simo thotë se afërsia që krijohet me pjesëtarët e familjes është ende e fortë në Shqipëri dhe kjo është pozitive, por nëse shkon dhe bëhet detyrim qëndrimi me prindërit, kthehet e pashëndetshme. “Madje ende flitet se fëmija i vogël do të jetë fëmija që do të pleqërojë me prindërit, duke kthyer mbrapsht shërbimet që ai ka marrë kur ka qenë i vogël. Kurrësesi fëmija nuk duhet të ndihet i detyruar t’i shërbejë prindit për faktin se e ka sjellë në jetë, por është përgjegjësi e cila kultivohet si proces i jetës, ku secili merr rrugën e vet duke ndihmuar njëri-tjetrin”, thotë Simo.
Ajo shpjegon se prindërit nuk mund të pretendojnë të lindin një fëmijë që ta përdorin si kujdestar të tyre kur të shkojnë në moshë madhore. “Prindërit kanë rol përkujdesës, edukues dhe udhëzues drejt pavarësisë së fëmijës”.
Ka shumë të rinj, thotë Simo, sidomos të moshave 30-40 vjeç të pamartuar, që nuk po arrijnë dot shkëputjen nga prindërit sepse për këta të fundit është e pakonceptueshme, por edhe turp sepse të tjerët do t’i paragjykojnë.
“Paragjykimi lidhet me turpin se si prindërit “hedhin” fëmijën tutje apo si mund të jetojë vetëm një i ri kur nuk është i martuar”, thotë Simo.
Shumë shoqëri në mbarë botën mendojnë se të jetosh me prindërit është krejtësisht normale. Një nga avantazhet më të mëdha të të jetuarit me prindërit është kursimi i parave, thotë Simo.
Kursehet në qira, faturat e shërbimeve, ushqimet dhe shumë më tepër.
Po ashtu ka lehtësira të tjera siç janë mbarëvajtja e shtëpisë e cila ndahet me pjesëtarët, gatimi i vakteve që në pjesën më të madhe e ka nëna etj. Të jetosh me prindërit ka një afërsi dhe siguri për çështjet personale, emocionale apo sfidat e përditshme.
Nga ana tjetër, thotë Simo, të rinjtë që jetojnë me prindërit e tyre shprehen se iu mungon privatësia, kanë konflikte të herëpashershme me prindërit, rregullat vendosen, ndiqen dhe diktohen nga prindërit kryesisht, si dhe nuk kanë pavarësi për vendime.
A ka një zgjidhje për ndryshimin e këtij “zakoni”?
“Nuk mund të pretendojmë të ndryshojmë mendësitë dhe zakonet e thelluara prej kohësh. Progresin mund ta bëjnë të rinjtë duke u pavarësuar ekonomikisht”, thotë Simo duke shpjeguar se statistikat në vendin tonë tregojnë se ka të rinj të cilët janë të papunë dhe nuk kërkojnë punë.
Simo këtë e lidh edhe me mungesën e iniciativës që mund të kenë këta të rinj kur jetojnë me prindërit për të dalë nga mbrojtja dhe përkujdesja e prindërve dhe për t’u përballur me sfidat dhe jetesën.
“Brezi i gjeneratës Z (të lindurit pas 1997) kanë më shumë dëshirën për pavarësi, por në tërësi shihet që u mungon iniciativa. Ky brez kryesisht nuk përshtatet dot me punë me orar të gjatë, kanë tendencë të mos punojnë në kohë afatgjatë në një kompani (kryesisht priren të punojnë freelancer) dhe si pasojë nuk kanë të ardhura të qëndrueshme”, përfundon Simo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




