Nga Albert Doja* - Çdo vjeshtë, Franca shpall çmimet e saj letrare si dhe kremton çmimin Nobel për Letërsi. Këtë vit 2019, ky çmim iu dha autorit austriak Peter Handke dhe u shoqërua me një sërë reagimesh të ashpra në botë, duke e cilësuar si një “skandal” apo një “çnderim” këtë çmim dhënë një shkrimtari që ka mbështetur publikisht ish-Presidentin serb Slobodan Millosheviç. Kritika ka qenë e ashpër në Francë, por edhe në Britani, në USA dhe gjetiu. Shpesh këto debate duket sikur kanë të bëjnë vetëm me teorinë e ndarjes së vlerave letrare të veprës nga vlerat sociale të autorit dhe nga vlerat simbolike të çmimit. Të paktën në Shqipëri këto debate po tregojnë gjithnjë edhe më shumë se problemi i këtij çmimi nuk është thjesht letrar, por para së gjithash çështje oportunizmi politik.
Qëndrimet oportuniste
Shumë kritikë si në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë, por edhe në Britani, ShBA e gjetiu nëpër botë janë shprehur se me vendimin për t’i dhënë çmim Nobel austriakut Peter Handke, Akademia Suedeze e shkatërroi prestigjin e “Nobelit letrar”, sepse asnjë shkrimtar dhe intelektual, anembanë botës, nuk do ishte “gati të pranojë bashkëjetesën e këtij Nobeli letrar me qëndrimet politike të Handke-s”. Një nga komentuesit me plot të drejtë ka shtruar pyetjen “për kë bie vallë Nobel-këmbana”, përderisa laureati i vitit 2019 ka edhe veçorinë unike të adhurohet nga njerëz, orientimi kulturor i të cilëve i shtyn të urrejnë veprën e tij letrare dhe të turpërohen nga ata që e pëlqejnë atë.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e “kritikëve” si në Francë dhe gjetiu nëpër botë, por edhe në Shqipëri nuk mënojnë të shtojnë se para së gjithash “Peter Handke është shkrimtar i klasit të parë”. Në fakt, sipas këtyre, vlerat e tij letrare askush nuk mundet dhe nuk duhet t’i vërë në dyshim.
Të famshëm në kërkim të popullaritetit
Çuditërisht këta “analistë” që ngulmojnë se ai është veçse “një shkrimtar i mirë”, bëjnë sikur harrojnë që vlerat letrare të Nobelistit të ri mund të jenë të dyshimta dhe se pikërisht qëndrimet e tij oportuniste duhet të kenë bërë të mundur rritjen e famës të tij letrare. Të paktën kështu, me një frazë disi të veçantë, “nuk jam më i njohur si më parë”, është shprehur ai vetë me njëfarë pikëllimi aty nga mesi i viteve 1990. Në fakt, një nga arsyet e gjithë debatit është se ai ka tashmë shumë vite që nuk ka bërë asgjë domethënëse në letërsi. Përkundrazi, ashtu si shumica e atyre me famë të venitur që u kapën pas luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë, siç është rasti me Bernard-Henri Lévy që mori anën e Bosnjës apo Alain Finkielkraut atë të Kroacisë, disa komentues nuk ngurrojnë të thonë që Handke e ka kthyer skandalin në famë dhe famën në skandal, duke zgjedhur anën më të neveritshme të këtij konflikti, thjesht sepse në kampin e Serbisë kishte më shumë shanse të gjente më pak konkurrencë.
Çuditërisht, këta “analistë” që ngulmojnë se ai është veçse “një shkrimtar i mirë”, përpiqen gjithashtu t’i minimizojnë edhe protestat, duke thënë se ato vijnë thjesht për arsye se ai “njihet botërisht edhe si apologjist i politikave të Serbisë në Ballkanin e viteve 1990 dhe simpatizant i Milosheviçit”. Në fakt e vërteta është ndryshe. Austriaku Peter Handke akuzohet se një pjesë e madhe e sprovës që ai ka shkruar në vitin 1996, për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung mbi udhëtimin e tij në Serbi, i është kushtuar mohimit të vrasjeve gjenocidale në Srebrenica të Bosnjës, që janë njohur si gjenocid nga Gjykata ndërkombëtare. Vazhdimisht, ai ka sugjeruar publikisht se boshnjakët e Sarajevës veçse janë masakruar me njëri-tjetrin, se ata kanë hedhur predha mbi tregun e qytetit të mbushur plot me njerëz vetëm për të fajësuar serbët, se që të dy palët kryen mizori në Srebrenica, se numri i boshnjakëve të vrarë është shumë i ekzagjeruar, apo se vetëm serbët kanë vuajtur si çifutët prej nazistëve.
Qëllimi i tij është të zvogëlojë të vërtetën historike dhe të ofrojë mbështetje publike për autorët e gjenocidit. Ai ka pohuar se nuk e ka ditur, se nuk ka dashur ta dijë, se ka menduar që çështja është shumë e komplikuar, apo ka mohuar plotësisht atë që ndodhi dhe e kujt ishte përgjegjësia për atë që ndodhi në Bosnjë. Por mosbesimi apo hedhja poshtë e përvojës së viktimave të gjenocidit është vazhdim i gjenocidit, ndërsa mohimi i gjenocidit është një apologji për gjenocidin e ardhshëm.
Qysh në atë kohë, në vitin 1996, mbarë shtypi ndërkombëtar, veçanërisht në Gjermani dhe në Austri, ka vërejtur me zemëratë se “asgjë e krahasueshme nuk është parë ndonjëherë më parë”, me përjashtim ndoshta të një pjese të vogël historianësh revizionistë, të cilët para disa dekadash kanë shkaktuar një stuhi protestash kur sugjeruan se Gjermania nuk duhej të mbajë e vetme fajin për Luftën e Dytë Botërore. Sigurisht, negacionizmi i çdo lloj gjenocidi është një krim i dënueshëm me burgosje. Megjithatë, kur disa vjet më vonë, në vitin 1999, kritikët i kujtuan atij se kufomat e viktimave janë prova të mizorive serbe, ai u përgjigj: “Këto kufomat tuaja mund t'i fusni në bythën tuaj”. Çuditërisht, në vend të dënimit, pikërisht ky njeri merr çmim Nobel në vitin 2019, ndërsa më pas botuesi i tij qarkullon në heshtje një mbrojtje të çuditshme të negacionizmit të tij.
Për më tepër, akoma edhe më e çuditshme bëhet kur disa analiza “kritike” na thonë edhe se protestat dhe reagimet vijnë me zemëratë vetëm nga Bosnja dhe Kosova thjesht sepse politikat e serbëve kishin në shënjestër boshnjakët dhe shqiptarët. Sikur gjenocidi të mos ishte një krim kundër mbarë njerëzimit, por vetëm një krim i thjeshtë kundër disa njerëzish pa rëndësi dhe që nuk na prek veçse si spektatorë. Po kështu, protesta të tilla mund të kenë ardhur vetëm ngaqë shpresohej, sidomos ndër shqiptarë, se këtë vit Nobeli do t’i shkonte Ismail Kadaresë. Sikur amoralizmi i çmimit Nobel të mos prekte mbarë letërsinë botërore, por vetëm një padrejtësi lokale të papërfillshme.
Anarkia e mendimit dhe relativizimi i vlerave
Debatet dhe protestimet rreth Nobelit letrar 2019 duket se janë një mundësi e mirë për të treguar sesi relativizimi, banalizimi dhe mohimi i vlerave të caktuara arrihet përmes krijimit të një lloj anarkie mendimi dhe konfuzion idesh që çojnë në ngatërrimin dhe përfundimisht barazimin e vlerave me antivlerat.
Një strategji e ngjashme dhe deri tani mjaft e sukseshme e ithtarëve të politikës gjenocidale të serbëve në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë ka qenë relativizimi, banalizimi dhe mohimi i krimeve të luftës dhe gjenocidit nëpërmjet krijimit të lloj anarkie mendimesh dhe konfuzion idesh që synonte ngatërrimin dhe përfundimisht barazimin e kriminelëve me viktimat.
Strategjitë e relativizmit moralist mund të marrin forma dhe shprehje të reja, por këto duhen evidentuar dhe dënuar nëse duam të përballemi me qëllimet e fshehura të një politike oportuniste prapa kritikave dhe analizave që shtiren se po pasqyrojnë realitetin e fakteve me një objektivizëm banal.
Kështu, edhe në ato “analiza” që ngulmojnë se Peter Handke është veçse “një shkrimtar i mirë” gjejmë një shprehje të re të kësaj strategjie që përpiqet të relativizojë amoralizmin e çmimit Nobel, duke shfajësuar krimin negacionist të këtij autori me vlerat e dyshimta letrare të veprës së tij. Aq më tepër që edhe Akademia Suedeze akuzohet drejtpërdrejti se ka synuar të fshehë skandalet e veta (lidhur me paditë për përdhunim seksual drejtuar një Akademiku në vitin 2018), duke dhënë kësaj radhe një çmim Nobel edhe më skandaloz.
Një nga komentuesit nuk ka hezituar të vërë në dukje se kësaj radhe ky çmim nuk është çështje vlerash letrare të veprës së këtij autori, por një devijim i qëllimshëm i vëmendjes së publikut për të relativizuar dhe minimizuar skandalet komprometuese, në të cilat Akademia e Nobelitishte tashmë e përfshirëgjatë vitit të kaluar 2018. Ajo dëshmoi këtë vit 2019 për një veprimtari të qëllimtë antinjerëzore për të fuqizuar nëpërmjet famës dhe shpërblimit autorë të tillë që promovojnë krimet e luftës dhe gjenocidin.
Të njëjtit relativizëm moralist i shërben edhe minimizimi i rëndësisë së protestave me kufizimin e tyre në qarqe boshnjake dhe shqiptare të caktuara që duhen kuptuar si “të paragjykuara”, prandaj edhe “të parëndësishme”.
Të njëjtit relativizëm moralist u shërbejnë edhe ata “analistë” që mundohen të shfajësojnë qendrimin oportunist të Akademisë suedeze duke barazuar negacionizmin e Peter Handke-s me qendrimet politike oportuniste të këtij apo atij Nobelisti të mëparshëm.
Konfuzioni i ideve
Të njëjtit relativizëm moralist u shërbejnë këta «analistë» edhe në Shqipëri kur mundohen të shfajësojnë krimin negacionist të Peter Handke-s me aktivizmin e shkuar politiko-letrar të një Nobelisti të mundshëm si Ismail Kadare, që konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, i cili i ka kapërcyer kufijtë për ta vendosur veten si një zë universal kundër totalitarizmit. Emri i tij është përmendur shpesh edhe si i preferuar për çmimin Nobel për Letërsinë.Megjithatë, ai akuzohet shpesh se ka qenë bashkëpunëtor i ish-regjimit komunist në Shqipëri. Nuk janë të rralla as insinuatat si ato nga figura të njohua si Rexhep Qosja lidhur me kusuret politiko-karrieriste të disa prej intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë që supozohet se kanë pasur lidhje të dyshimta ose kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Nuk janë të pakët librashkrues e vjershëbërës zanati në Shqipëri që “çuditen” pse harxhohet kaq kohë e mund analizash për një Nobel sikur të jetë boshti rrotullues i artit letrar, ndonëse u thurrin temenara këtij apo atij Nobelisti dhe përbuzin shkrimtarë e poetë të talentuar shqiptarë si Ismail Kadaré. Më kujtohet një bisedë para disa vitesh në Paris me një shkrimtar të njohur mbi vlerësimin që kishin fituar romanet e tij të përkthyera dhe të botuara në Francë, kur më thotë me njëfarë pikëllimi të ngjashëm me atë të Peter Handkes: “Sikur të mos ishte Ismaili unë tani do isha po aq, apo ndoshta edhe më i famshëm se ai në Francë”! Sikur fama e Ismail Kadaresë t’i pengonte këta shkrimtarë në kërkim të famës së tyre!
Madje mund të thuhet se të njëjtit relativizëm moralist u shërbejnë çuditërisht edhe në Shqipëri ato përpjekje militantësh që janë shprehur për të minimizuar problemin e çmimit Nobel, duke na kujtuar se shqiptarët kanë probleme më të rëndësishme për t’u marrë dhe që u dashkan përcaktuar para së gjithash nga gjërat e vockla me të cilat mbushen grindjet dhe zenkat bajate në politikën e ditës.
Për fat të keq, nuk do shumë mend për të kuptuar çfarë i bashkon ata që përbuzin Ismail Kadarenë,përgojojnë intelektualët shqiptarë në Kosovë,apo bërtasin e ankohen për çdo gjë e kundër çdo lloj politike në Shqipëri, me ata që justifikojnë dhe mbrojnë një shkrimtar të dyshimtë si Peter Handke. Jo më kot mediat serbe e kanë pritur me ngazëllim të paparë, ashtu si kanë nxituan t’i përgjigjen së përditshmes britanike Daily Mail, me një intervistë ekskluzive për Večernje Novosti në të cilën Handke deklaroi se “i vjen mirë që serbët janë të lumtur për shkakun tim”. Jo më kot Milosheviçi ishte aq i dashur me të sa t’i japë Urdhrin e Kalorësit Serb për angazhimin e tij ndaj çështjes serbe. Në Serbi e kanë bërë edhe anëtar nderi të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, si dhe qytetar nderi të Beogradit, ku ai konsiderohet si “miku që serbët nuk kanë pasur pse ta blejnë”.
Pa dyshim, edhe ata që përbuzin Kadarenë apo përgojojnë këdo e ankohen për gjithçka bëjnë të njëjtën gjë me ata që relativizojnë vlerat e çmimit Nobel. Nëse kuptojmë këtë, atëhere do mund të kuptojmë se kësaj radhe debati nuk është thjesht një çështje e boshtit rrotullues të artit letrar, por një çështje oportunizmi politik, sidomos për ata që nuk mendojnë veçse me shabllonet e gjithëdijshme, por që shpesh krijojnë atë lloj anarkie mendimesh e idesh që sjellin relativizimin dhe zhvlerësimin e çdo gjëje.
Artikulli është marrë nga "The Conversation"
*Albert Doja, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Profesor i antropologjisë në Universitetin e Lilës, Francë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.