Kosova

Escobar: S’kam marrë zotim nga Kurti për zbatimin e marrëveshjes

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se nuk kishte marrë kurrfarë zotimi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për zbatimin e marrëveshjes bazike mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të saj.

Kurti tha të hënën se bisedoi me emisarin amerikan “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

Por, në një intervistë për Zërin e Amerikës më 12 shtator, Escobari tha: “Nuk kam marrë zotim nga Kurti.”

Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Ai, në thelb, u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj”, shtoi Escobar.

Më 27 shkurt, në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Më 18 mars palët janë pajtuar edhe për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes, e cila parasheh një nivel të caktuar të vetmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.

Escobari i bëri këto komente në prag të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten në Bruksel.

Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Emisari amerikan tha se rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës do të ishte nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë japin dorëheqje.

“Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Po kërkojmë nga serbët që të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje kur ato të vendoset të mbahen. Se si arrijmë deri aty, është çështje që do të diskutohet mes palëve. Por, gjithsesi besoj se dorëheqjet do të ishin më të shpejtat. Megjithatë, po e përcjellim situatën me shumë vëmendje”, tha Escobar.

Escobari tha se ajo që e shqetëson në Kosovë “është mungesa e vazhdueshme e koordinimit mes dy palëve për rrugën përpara, përfshirë shfrytëzimin e njësive të posaçme të policisë për shpronësime dhe dëbimin e disa institucioneve serbe nga ndërtesat qeveritare.”

“Të gjitha duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut, dhe po u bëjmë thirrje dy palëve që të sigurohen që të gjitha çështjet të koordinohen me bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë