Nga Gazeta ‘Si’ – Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, thotë se SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n por shton se as Serbia edhe asnjë shtet tjetër nuk mund t’ua përcaktojë fqinjëve të vetë zgjedhjen e aleancave të sigurisë.
Reagimi erdhi si kundërpërgjigjie e ambasadorit amerikan në Beograd Christopher Hill i cili ka thënë se aktualisht Serbia është më afër NATO-s se Kosova.
“SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n. Në të njëjtën kohë ne theksojmë se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n nëpërmjet KFOR-it dhe NALT dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera të sigurisë me shumë aleatë të NATO-s, përfshirë SHBA-në“, thekson ai.
Më tej emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor i është kundërpërgjigjur direkt edhe një mesazhi kërcënues të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se nëse Perëndimi zgjedh Kosovën “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.
Escobar bëri të qartë se asnjë shtet nuk mund ta pengojë tjetrin në orientimin e saj strategjik dhe zgjedhjen e aleancave të veta të sigurisë.
“SHBA-ja beson se të gjitha shtetet janë të lira për të përcaktuar vetë politikën e jashtme dhe të zgjedhin aleancat e veta të sigurisë. Asnjë shtet nuk duhet të pretendojë veto ndaj orientimeve strategjike të fqinjëve të vet“, tha Escobar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




