Gazeta Si – Ertjan Kofsha arrin rezultat fantastik në Botërorin e Peshëngritjes U-20 në Meksikë. Sportisti shqiptar ka fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes, në kategorinë deri në 89 kilogramë. Gara u zhvillua orët e para të mëngjesit të sotëm.
Shtangisti shtërmenas ia doli t’i kalonte me sukses të tria provat, duke ngritur në fillim 152 kilogramë dhe më pas 156 dhe 159 kilogramë. Kofsha është ngjitur kështu në vendin e parë të poodit, duke u shpallur kampion bote në këtë stil.

Në shtytje Kofsha nuk kaloi me sukses dy provat e para me 186 kilogramë. Këtë peshë ai e ngriti në provën e tretë dhe zuri vendin e 6-të. Në dygarësh sportisti 18-vjeçar zuri vendin e katërt, me 345 kilogramë.
Kofsha ishte shtangisti më i ri në moshë në Baterinë A. Ai tregoi vlerat e tij dhe në të ardhmen pa dyshim që premton të tjera medalje për Shqipërinë. Peshëngritësi ndodhet në Meksikë pa trajnerin Leonard Toska, i cili nuk u pajis me vizën meksikane. Detyrën e trajnerit po e bën presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




