Menaxhim

ERRU: 65% e ujit që shpërndahet nuk paguhet. Ka abuzime

Sipas statistikave vjetore të Entit Rregullator të Ujit, ERRU, 65% e ujit të prodhuar nuk është paguar për shkak të abuzimeve.

ERRU analizon se humbjet rezultojnë nga vjedhjet, nënfaturimet, lidhjet e paligjshme që përbëjnë 50% të totalit dhe pjesa tjetër humbje në rrjetin që është i amortizuar.

Nga ana tjetër, gjatë vitit 2021 kohëzgjatja mesatare e furnizimit me ujë nuk pati asnjë ndryshim, duke mbetur në 13.79 orë/ditë. Sipas Entit, kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë lidhet direkt me cilësinë e shërbimit ndaj konsumatorëve. Në rang vendi, aktualisht furnizimi i pandërprerë me ujë përfshin vetëm 29 qendra urbane të banuara.

Nisur nga këta tregues, ERRU kërkon agregimin sa më të shpejtë të sektorit, që parashikon bashkimin e disa kompanive të ujësjellësve në një të vetme, duke nisur me disa shembuj pilot, që më pas mund të shtrihen në të gjithë vendin.

Më herë Enti përgjegjës për këtë fushë kërkonte iniciativa për ligjërim e ujësjellësve dhe monitorim më të rreptë të tyre, pasi nga ata nisin abuzimet fillimisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë