Menaxhim

Erozioni, ndotja e ajrit dhe turistët e shumtë po shtyjnë Europën drejt ndalimit të kroçerave

Rreth 4.8 milionë njerëz çdo vit zgjedhin të pushojnë në një anije kroçerë. Para pandemisë, ky numër ishte edhe më i lartë, rreth 30 milionë pasagjerë.

Por, ndërsa industria e lundrimit rimëkëmbet nga pasojat shkatërruese të COVID-19, shumë porte ku ankorohen këto anije, po rivlerësojnë praninë e tyre.

Disa madje shpresojnë t’i ndalojnë ato krejtësisht, për shkak të shqetësimeve mjedisore, sociale dhe ekonomike.

Çfarë po ndodh në industrinë e lundrimit dhe pse disa destinacione po u thonë lamtumirë këtyre hoteleve gjigantë lundrues?

Qytetet europiane po kufizojnë pasagjerët

Gjatë pandemisë, qytetet europiane që luftojnë me mbipopullimin për shkak të turizmit, përjetuan se si mund të ishte jeta pa lundrime.

Në vitin 2021, Venecia ndaloi anijet e mëdha të lundrimit të ankorohen në qendrën e saj historike. Dëmtimi i lagunës, bëri që UNESCO të kërcënonte ta përfshinte qytetin në listen e vendeve të rrezikuara, nëse anijet nuk ndaloheshin përgjithmonë.

Anijet e mëdha shkaktojnë ndotje dhe gërryejnë themelet e qytetit, i cili tashmë vuan nga përmbytjet e rregullta.

Ndalimi do të thotë, që anijet e mëdha të lundrimit dhe kontejnerëve, nuk mund të hyjnë më në kanalin Giudecca të Venecias, që të çon në sheshin e tij të famshëm të Shën Markut.

Presioni për të ndaluar anijet turistike, u rrit kur në vitin 2019 një anije lundrimi, u përplas në një port në Venecia, duke plagosur pesë persona.

Një anije turistike kalon pranë sheshit të Shën Markut e mbushur me turistë

Të tjerët mund të ndjekin së shpejti shembullin. Ada Colau, kryetare e bashkisë së Barcelonës, tha kohët e fundit se, do të kufizonte numrin e turistëve në anijet kroçerë në qytet, në rast se rizgjidhej në maj. Masat e reja, mund të përgjysmojnë numrin e njerëzve që zbarkojnë, i cili mund të arrijë në 200.000 në muaj gjatë sezonit të pikut.

Ndotja është gjithashtu një shqetësim në Barcelonë, e cila u rendit si porti më i keq për ndotjen e ajrit në Europë, në një studim të kryer nga Transport & Environment vitin e kaluar.

Kryebashkiaku i Marsejës, porti më i madh i kroçerave në Francë, është shprehur gjithashtu kundër industrisë, duke pretenduar se po “mbyt” qytetin me ndotjen e ajrit. Amsterdami, Santorini dhe Dubrovniku gjithashtu, kanë shtrënguar kufizimet për kompanitë e lundrimit.

Një zbulim pas pandemisë për anijet turistike

Megjithatë, ky nuk është një fenomen i kufizuar në Europë. Portet në mbarë botën po vendosin se, nuk duan një kthim në mënyrën se si gjërat ishin më parë.

Monterey Bay në Kaliforni, ka pasur pak ose aspak anije, që para COVID-19. Në muajin shkurt, qyteti dërgoi një sinjal të qartë për linjat e lundrimit, se nuk dëshiron që ato të kthehen. Këshilli i qytetit thotë se, shpreson të mbrojë mjedisin bregdetar të zonës.

Anijet e mëdha turistike shkaktojnë shqetësim për banorët e qyteteve portuale në mbarë botën

Në nëntor, Bar Harbor në shtetin amerikan të Maine, vendosi gjithashtu të vendosë kufizime të ashpra për numrin e turistëve, që mund të zbarkonin nga anijet.

Nga viti 2024, vetëm 1000 pasagjerë dhe ekuipazh do të lejohen të vizitojnë çdo ditë. Numri mesatar i njerëzve në një lundrim tani është rreth 3.000, që do të thotë se kjo është një goditje e rëndë për operatorët, që kërkojnë të ankorohen në qytet.

Kufizimet erdhën pasi banorët vendas kërkuan të kufizonin numrin e turistëve, duke thënë se ata ishin “mbytur” nga trafiku i lundrimit. Nuk është një zhvillim befasues: një studim në 2021 zbuloi se shumica e banorëve të Bar Harbour, ishin të pakënaqur për këto anije masive.

A sjellin para anijet turistike aty ku ankorohen?

Një nga argumentet më të mëdha, që mbështesin anijeve turistike, është kontributi i tyre në ekonominë lokale.

Disa studime kanë treguar se, pasagjerët që zbarkojnë nga anijet, nuk kontribuojnë aq shumë në ekonominë lokale sa mund të mendohet.

Një studim nga Bergen, Norvegji – një ndalesë popullore për udhëtime në fiord – zbuloi se deri në 40% e njerëzve nuk u larguan nga anija gjatë gjithë udhëtimit. Për ata që dolën në breg, shpenzimi mesatar i tyre ishte më pak se 23 €.

Studimet nga Bergen, Norvegji tregojnë se pasagjerët nuk shpenzojnë aq shumë sa mund të mendoni në porte

Industria e lundrimit argumenton se, kontributi mesatar i një pasagjeri në ekonominë lokale është rreth 91 € në ditë, shumë më i lartë se vlerësimi i Bergenit.

Një mënyrë për të kapërcyer hendekun, do të ishte rritja e taksës së pasagjerëve të vendosur në porte, e cila aktualisht është 4 deri në 14 euro për person.

Industria e lundrimit thotë se, po ndërmerr hapa për të përmirësuar ndikimin mjedisor dhe social.

Linjat e lundrimit ishin ndër të parat në sektorin detar, që u angazhuan për të ulur emetimet e karbonit me 40% deri në vitin 2030. Disa madje janë regjistruar për të arritur emetime neto zero deri në vitin 2050.

Nëse këto objektiva do të jenë të mjaftueshme për të qetësuar vendasit në qytetet portuale, ende nuk mund të dihet. 

Burimi: Euronews.Travel/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë