Nga Gazeta Si – Mes shkrimtarëve të mëdhenj të cilën dolën në pah në mesin e shekullit të kaluar, pati dhe shumë nga Amerika Latine të cilët me realizmin magjik arritën ti imponoheshin pjesës tjetër të botës si një letërsi e madhe.
Një ndër ta ishte edhe Ernesto Sabato, shkrimtari argjentinas me nënë shqiptare i cili me romanin e tij të parë “ Tuneli” arriti njohjen ndëkombëtare duke e bërë atë një ndër shkrimtarët më të mirë në botë.
Albert Kamy madje i shkruante vetë Sabatos një letër ku i shprehte konsideratën e lartë për letërsinë e tij.
“Ju falenderoj për letrën tuaj dhe për romanin. Kaljosi ma dha për ta lexuar dhe më bëri përshtypje, ashpërsia dhe mendimi i ngjeshur në të. E keshillova Galimarin ta botonte dhe shpresoj që “Tuneli” të arrijë në Francë suksesin e merituar. Do të kisha dashur t’jua thoja drejtpërdrejtë këto fjalë, po ndalimi prej censurës i njërës prej pjesëve të mia në Buenos Aires, nuk më lejon të jem aty për konferenca të parashikuara. Nëse do të arrija të vija deri në Brazil, do të përpiqesha t’i afrohesha nën emrin tim personal Buenos Airesit dhe do të isha i lumtur po t’ju njihja. Deri në këtë rast kini besim tek simpatia ime.
Albert Kamy
Astrofizikanti që braktisi shkencën për artin
Ernesto Sabato lindi lindi më 24 qershor 1911 dhe u nda nga jeta në moshën 100 vjeçare, më 30 prill 2011. Pasi mbrojti doktoraturën për astrofizikant, ai u përfshi nga një krizë e thellë ekzistenaciale e cila e bëri të hiqte dorë nga profesioni dhe ti përkushtohej tërësisht letërsisë dhe pikturës.
Romanet e tij “ Tuneli” , “ Mbi heronjtë dhe varret” dhe “ Abandoni, Ëngjëlli i sketerrës” edhe pse të paktë në numër e shënjuan atë si një nga shkrimtarët më të mëdhenj hispanikë të shekullit 19-të dhe një nga më të mëdhenjtë në botë. Sabato njihet si shkrimtar i cili e njeh në thellësi shpirtin njerëzor e gjithashtu hulumton brenda tij për të nxjerrë anën njerëzore si të vetmin shpëtim për botën. Përveç romaneve Sabato shkroi dhe non ficition si “ Rezistenca” , “ Shkrimtari dhe fantazmat e tij” , “Njerëzit dhe ingranazhet” “ Përpara fundit” etj.
Sabato dhe Shqipëria
“Françesko Sabatoja mbërriti në Buenos Aires në bordin e anijes Italie, si pasagjer i klasës së tretë. Dukja në horizont e Shkëmbit të Gjibraltarit ishte pragu që tregonte hyrjen e një bote tjetër. Për ata që linin Evropën në atë kohë, ai katana i errët ishte fundi i universit të njohur prej tyre. Me të kapërcyer atë masë gjigande stralli përballë Spanjës, do t’u duhej, për javë të tëra, të përballeshin me oqeanin para se t’u zinte këmba në terra incognita. Tej horizontit të pafund i priste Bota e Re, pothuaj e pakapshme, bashkë me ëndrrat e tyre dhe frikën e tyre për të papriturat”
Këtë udhëtim nga Kalabria në Argjentinë , Ernesto Sabato e përshkruan në librin e tij autobiografik “ Përpara fundit” referuar kujtimeve të të atit. Sabato kujton me qartësi bisedat e nënës së tij me dajën dhe shpjegon se ajo fliste një gjuhë të pakuptueshme për mua e cila ishte gjuha shqipe.
Në romanin e tij “Abandoni, Engjelli i sketerrës” ai shpjegon në një fragment të gjithë prejardhjen e tij shqiptare e cila e ka zanafillën në kohën e Skenderbeut, ku pas vdekjes së tij, shumë arbëreshë emigruan në Itali. Parardhësit e Sabatos u vendosën në Kalabri dhe nga Kalabria emigruan në Argjentinë në fillim të viteve 1900.
“Nëna ime ishte shqiptare dhe fliste shqip. Ajo ishte si një perëndi për mua. Ajo ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë më bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino” shkruan Sabato.
Në librin autobiografik “ Përpara fundit” Sabato përshkruan gjithashtu dhe vizitën e tij në Tiranë në vitin 1996, ku ai u nderua me çmimin “ Kadare” nga fondacioni Velia.
“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur. Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë…”
Pas vizitës në Shqiperi Ernesto Sabato i ulur diku në cepin e dhomës së tij të shkrimit, do të rikthente në mendje përjetimin në trojet e të parëve, nënës së tij. Bunkeret, gratë e pervuajtura dhev portretet e zbehta të shkrimtarëve të cilet kishin vuajtur burgjeve.
“Sërish në shtëpi, mendoj për sa pashë në tokën e disa të parëve të mi : një popull që ka vuajtur vite nënshtrimi ; e do i kujtoj gjithnjë ato nëna , të cilat kanë parë tu vdesin bijtë në mënyrat më të egra e , megjithatë janë ende tejet bujare. Në vetminë e dhomës pyeta veten se cili Zot mund të fshihet pas vuajtjes“
Definicioni i tij për njeriun në raport me atdheun dhe vendin e tij, ende dhe sot mbete ndër përkufizimet më të qarta dhe të drejtpërdrejta të shkruara ndonjëherë. Sipas Sabatos atdheu i mirë apo i keq, ka të gdhendur në “mishin” e tij fytyrën tonë.
“Dhe duke qenë se tek e fundit me kalimin e viteve çdo njeri ka fytyrën që meriton ngaqë është bërë jo vetëm me mishin por edhe me shpirtin e tij , me guximin dhe frikërat e tij , me madhështinë dhe mjerimin e tij, atdheu ynë më se fundi në pjekurinë e tij ka fytyrën që duhet të kishte, atë fytyre që i kemi gdhendur të gjithe ne dhe gjithësecili prej nesh në mishin e tij të gjallë ; politikanë apo artistë të kulluar , kodoshë apo baballarë te ndershëm , milionerë apo argatë, ateiste apo besimtarë. Kësisoj, nëse të gjithë mund t’i rivendikojmë virtytet e tij askush mos të jetë aq maskara sa të shpallet i pafajshëm për të këqijat e tij”
Ernesto Sabato u verbua pak vite përpara se të ndërronte jetë më 30 prill 2011 në banesën e tij në Buenos Aires. Ai la pas një vepër të jashtëzkonshme letrare të përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës, ku pjesë e saj hera herës ishte edhe Shqipëria, atdheu i të parëve të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.