Muzike

Ermonela Jaho: Në një popull ku nuk ka shpirt human, diferenca me një send është shumë e vogël

Nga Liridon Mulaj- Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, ndodhet në Tiranë me rastin e koncertit të saj të radhës në TKOB. I titulluar “Kur ndjenjat marrin zë”, repertori i zgjedhur do të vihet për herë të parë në skenën e TKOB-së, ku siç thekson Jaho,  është një repertor i zgjedhur për të qenë shpirtëror dhe që do të depërtojë në zemrat e publikut. Rikthimi i saj pas një viti e gjysmë në skenën shqiptare është pritur si gjithmonë me shumë interes nga publiku.

Ermonela Jaho : Kam vënë re se shqiptarët nuk e duan njëri tjetrin

E rikthyer në TKOB pas më shumë se një viti, Ermonela Jaho vazhdon të jetë një sensacion për publikun shqiptar. Këtë e tregon edhe fakti se biletat e koncertit u njoftuan si të shitura (sold-out) që në ditën e dytë pas njoftimit për koncertin. Por a është ky një tregues i një shoqërie që e do dhe e vlerëson vërtetë artin, apo emri i Ermonelës tërheq një interes të përhershëm?

Në një shoqëri që përmbytet mediatikisht nga politika nga njëra anë dhe show-biz nga ana tjetër, Ermonela Jaho ka një përgjigje, e gjithashtu edhe një diagnozë. Ajo thotë për Gazetasi.al se artistët duhet të punojnë së bashku dhe të kthejnë vëmendjen nga arti i madh, që kërkon punë dhe mundim për të arritur majat.

Ermonela Jaho

“Jam shumë dakord që artistët shqiptarë duhet të bëjnë pak më shumë për të shtuar fokusin drejt artit dhe për ta zhvendosur nga politika. Unë e shoh me syrin e jashtëm pasi jetoj jashtë. Pra, e shoh me mall dhe vij gjithmonë me ato kujtimet e fillimeve të mia, ku kanë qenë dhe problemet e mia, dhe me atë sy e shoh edhe sot. Duhet të bëjmë patjetër më shumë. Teatri i Operas dhe Baletit po bën gjëra të bukura dhe publiku është sot sold-out, pra ne po e bëjmë tonën. Pra, po japim muzikë të mirë, por mos të harrojmë se muzika klasike, ajo që do të japësh, qoftë edhe një pesë notësh , të merr vite, të studiosh muzikën klasike do të duhet gjithmonë jeta, pra nuk merret si e mirëqenë. Kështu që duhet më shumë vëmendje ndaj këtij zhanri. Por artistët kanë shumë në dorë, jam dakord me këtë. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë, s’mund të bëjmë gjë veçmas.”

Por ajo që vë re Ermonela Jaho është edhe dashakeqësia e shqiptarëve ndaj njëri-tjetrit, një tipar i cili reflektohet edhe në art.

“Ajo që unë kam vënë re është se shqiptarët nuk bëjnë për njëri-tjetrin,pra ne nuk e duam njëri-tjetrin. Kemi inat se pse arrin ti më shumë se unë. Duhet të jetë e kundërta, jemi një vend kaq i vogël dhe kemi nxjerrë kaq mrekulli. Kudo që shkon, në të gjitha vendet e botës, do të gjesh një solist shqiptar. Kudo, nga Australia dhe në Europë, ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin. Të bëhemi bashkë dhe të tërheqim vëmendjen, jo për politikën, por aty ku ka vërtetë probleme. Pra, artistët të të gjitha zhanreve duhet të bëhen bashkë,” thotë Jaho për Gazetasi.al.

Fama e rrjeteve sociale po i shkëput të rinjtë nga arti i madh, që kërkon mund dhe pasion  

Të rinjëve që vendosin të ndjekin rrugën e artit, sipas Ermonela Jahos, u duhet shumë punë dhe pasion, diçka që shpesh u mungon, duke devijuar nga qëllimi i tyre për të qenë artistë të mirëfilltë.

“Arti që në Greqinë e lashtë u krijua për të qenë dhe për të pasur një shpirt të madh, dhe ky lloj arti me A të madhe kërkon shumë mund. Arti duhet të ketë efektin e katarsisit, pra ky është impakti i artit. Momenti që ne i dedikojmë pesë minuta Instagramit dhe e marrim atë famën e vogël përmes tij, për të marrë sa më shumë likes, për të bërë ca foto. Realiteti është komplet gjithçka tjetër. Për të arritur atje ku do ti, po e them në zhargon duhet të punosh si qen. Puna nuk mbaron askund. Unë kam ardhur sot në orën nëntë dhe kam bërë vokalica për një repertor që e kam bërë disa herë, por është pasioni që nuk më lë dhe ai nervi kur e di se ke gjithmonë ka diçka për të përmirësuar.”

 
Aulon Naçi , Ermonela Jaho, Fabrizio Maria Carminati

Fama nuk ka qenë kurrë parësore për Jahon, por ajo pranon se përmes punës arrin atë famë të plotë dhe të merituar, krejt ndryshe nga fama e shpejtë që ofrojnë rrjetet sociale, e cila sipas saj është një famë pesëminutëshe, boshe.

“Bëhet një punë kolosale e cila s’mund të jetë kurrsesi e krahasuar me famën e shpejtë të social media, atë famën pesë minutëshe. Edhe një fëmijë të krijohet do nëntë muaj. Ne i duam gjërat të realizohen me një të kërcitur të gishtit. Dhe kultura e punës për artin e madh duhet të promovohet kudo nëpër televizione, dhe jo figura që kërkojnë më shumë likes. Sigurisht edhe ajo duhet sepse ne nuk mund të injorojmë realitetin, por arti është shpirtëror. Dhe në një popull ku nuk ka art të madh dhe shpirt human, diferenca me një send është shumë e vogël pastaj” – shprehet Jaho.

Për sa i përket koncertit, Jaho shpjegon se do të performojë një repertor të veçantë me pjesë që kërkojnë shpirt dhe ndjenja. Rikthimet sipas saj në Shqipëri janë gjithmonë mallëngjyese.

“Unë rikthehem gjithmonë me shumë mall dhe dëshirë sepse duke qenë jashtë, përtej të tjerëve, kam edhe detyrim moral, shpirtëror, por edhe patriotik, sepse publiku ynë është i veçantë. Të paktën për mua është i veçantë. T’i japim shpresë brezit të ri, sepse ne u rritëm këtu, në këtë teatër e kam nisur karrierën, dhe do të kthehem këtu. E kemi titulluar ‘Kur ndjenjat marrin zë’ sepse ky repertor, që është pak ndryshe, përmban shumë shpirt dhe ndjenja. Detyra e artistit kjo është, ti ndajë ndjenjat e tij me publikun, në moment që rezonon artisti me publikun, aty ndodh diçka magjike, sepse shohin njëri-tjetrin në pasqyrë, shpirtrat shihen në pasqyrë. Edhe pse kam 32 vite karrierë, unë ngjitem gjithmonë në skenë si herën e parë. Arti është terapi,” – përfundon rrëfimin e saj për Gazetasi.al sopranoja Ermonela Jaho.

“Kur ndjenjat marrin zë” do të shfaqet më 17 shtator në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho do të performojë krah dirigjentit italian Fabrizio Maria Carminati dhe orkestrës së TKOB.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë