Muzike

Ermonela Jaho mahnit publikun në Royal Opera House/ ‘Një Violettë e paharrueshme’

Jaho, e cila rikthehet në rolin kryesor pasi e ka interpretuar më parë në vitet 2008 dhe 2019, është veçanërisht mbresëlënëse, me një aftësi të jashtëzakonshme për t’i lënë notat e larta të buta të pluskojnë me një delikatesë që sfidon gravitetin. Dueti i saj me Salën gjatë romancës së tyre, “Un dì, felice, eterea”, është përkufizimi i përkryer i zogjve dashnorë që cicërojnë, dhe ajo krijon gjithashtu një kundërpeshë efektive me baritonin e plotë të Isaevit në “Dite alla giovine” të Aktit II.

Nga Theo Bosanquet – Tashmë në dekadën e saj të katërt, vënia në skenë e La traviata nga Richard Eyre, e realizuar në vitin 1994, është ndër produksionet operistike më të qëndrueshme dhe më të dashura të kohëve moderne. Kjo ishte hfaqja e 585-të në Royal Opera House.

Më kishin siguruar se kjo është një pikënisje e shkëlqyer për ata që janë në hapat e parë të udhëtimit të tyre në botën e operës, dhe është e lehtë të kuptosh pse. Historia e kurtizanes së sëmurë nga tuberkulozi, Violettës, dhe dashurisë së saj të penguar me fisnikun e ri Alfredo, është ndër më të drejtpërdrejtat, gjë që është fat i madh, sepse produksioni i Eyre është kaq madhështor në dizajn (nga Bob Crowley), saqë është shumë e lehtë që vëmendja të të shpërqendrohet vazhdimisht nga radhët e skenografive luksoze.

Pavarësisht madhështisë së saj, gjithçka nis thjesht: telat e butë të uverturës shoqërohen nga fotografi të zbehta të kurtizaneve të së kaluarës, të cilat dalëngadalë i lënë vendin Violettës së Ermonela Jahos, që shfaqet në një vignete pas një perdeje garze. Ajo duket e përhumbur, e zymtë, dhe së shpejti do të zbulojmë arsyen.

Fillimisht e rrëmbyer nga romanca në sallonin e saj parizian nga Alfredo i hijshëm (Giovanni Sala), ajo shpejt rikthehet me këmbë në tokë nga babai i tij autoritar, Giorgio (Aleksei Isaev), i cili shfaqet në Aktin II në strehën e tyre në fshat për të kërkuar ndarjen e tyre në emër të dinjitetit familjar. Violetta pranon me stoicizëm, çka çon në një përballje dramatike në Paris dhe në një pajtim të fundit me Alfredon (dhe babain tashmë të penduar) në Aktin III, pak para vdekjes së saj të shkaktuar nga tuberkulozi.

Opera e Verdit e vitit 1853, e bazuar në La Dame aux camélias të Alexandre Dumas (biri) , është e mbushur me melodi të famshme, përfshirë këngën e fuqishme të pijes “Brindisi” dhe “Korinin e Ciganëve”, të interpretuara nga një ansambël i madh mbi skena që ngjajnë me piktura vaji të gjalla, si dhe aria përmbyllëse e Violettës, “Addio, del passato”.

Të gjitha interpretohen dhe luhen bukur nga orkestra e Royal Opera Huse nën dirigjimin dinamik, por të ndjeshëm, të Antonello Manacordës.

Jaho, e cila rikthehet në rolin kryesor pasi e ka interpretuar më parë në vitet 2008 dhe 2019, është veçanërisht mbresëlënëse, me një aftësi të jashtëzakonshme për t’i lënë notat e larta të buta të pluskojnë me një delikatesë që sfidon gravitetin. Dueti i saj me Salën gjatë romancës së tyre, “Un dì, felice, eterea”, është përkufizimi i përkryer i zogjve dashnorë që cicërojnë, dhe ajo krijon gjithashtu një kundërpeshë efektive me baritonin e plotë të Isaevit në “Dite alla giovine” të Aktit II.

Por Jaho nuk këndon vetëm mrekullisht, ajo edhe aktron me bindje. Skena finale, në të cilën ajo duhet të kollitet dhe të këndojë njëkohësisht ndërsa përjeton minutat e saj të fundit në një dhomë pariziane të mobiluar nga një kornizë e madhe bosh (një motiv i vazhduar nga Akti II), është një kulm tronditës që ajo e mishëron plotësisht; përqafimi i saj i fundit me Alfredon është një moment që të rrënqeth.

Sala dhe Isaev gjithashtu lënë përshtypje, dhe ka mbështetje shumë të mirë, përfshirë Veena Akama-Makia si shërbëtorja e dhembshur Annina, Ellen Pearson si kurtizania Flora dhe Sam Hird si rivali në dashuri, Baroni Douphol.

Produksioni i Eyre mund të mos jetë më revolucionari që do të shihni, por është i qartë dhe i drejtuar me një sy teatror drejt detajit.

Është e qartë pse është shndërruar në një shtyllë kaq të dashur të repertorit, dhe historia e La traviata tingëllon veçanërisht domethënëse në një epokë të hendeqeve gjithnjë e më të mëdha të pasurisë, politikave të paqëndrueshme dhe varfërisë së rëndë.

Vendimi i Violettës për t’iu nënshtruar vullnetit shoqëror dhe për t’i dhënë fund romancës së saj mund të duket, në njëfarë kuptimi, si një vetëflijim i panevojshëm, por ka gjithashtu një heroizëm të pazakontë në përpjekjen e saj të ndershme për të balancuar dashurinë dhe realitetin.

Burimi: London Theatre


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë