Nga Gazeta “SI”– Në datën 8 qershor, sheshi “Skënderbeu” në zemër të Prishtinës u shndërrua në një tempull të artit lirik, ku publiku pati mundësinë të përjetojë një nga mbrëmjet më të rralla të muzikës klasike në hapësirën shqiptare.
Ylli ndërkombëtar i operas, sopranoja Ermonela Jaho, dhe dirigjenti italian Jacopo Sipari Di Pescasseroli, bashkuan forcat me Orkestrën e Operës dhe Filarmonisë së Kosovës për një koncert gala të paharrueshëm.

Organizuar nga Opera e Kosovës, ky koncert shënonte jo vetëm kulmin artistik të sezonit, por edhe përkushtimin e institucioneve kulturore për ta vendosur Prishtinën në hartën ndërkombëtare të muzikës klasike.
Në një mbrëmje të hapur për publikun, nën qiellin e Qershorit, u interpretuan disa nga veprat më të njohura të repertorit operistik botëror. Arie dhe Intermezzo nga Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi e Francesco Cilea, “La Tregenda” nga Le Vill, apo Ave Maria dhe La Traviata e Verdit ishin disa nga kryeveprat botërore të cilat publiku i Prishtinës i shijoi nën zërin mahnitës të Jahos.
Vetë Ermonela Jaho ishte shprehur para koncertit se përgatitjet për këtë shfaqje kishin qënë sikur do të ishte e fundit e saj. Duke treguar kështu rëndësinë por edhe dashurinë e saj për Kosovën dhe publikun atje.
Pjesëmarrja e Ermonela Jahos dhe Jacopo Siparit e shndërroi këtë koncert përtej një ngjarjeje artistike, një akt të vërtetë kulture dhe nderimi për artin e lartë.

Prishtina për një natë u bë jo vetëm vendtakim për adhuruesit e muzikës klasike, por edhe një qendër frymëzimi për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e artit që kapërcen kufinjtë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.