Rend dhe Ligj

Ermal Hoxha “ri-integrohet” në shoqëri, punësohet tek e shoqja

Kur gjyqtari Piro Sota i Gjykatës së Fierit vendosi të pranojë kërkesën e Ermal Hoxhës për lirim me kusht, nipit të diktatorit Enver Hoxha i kishte mbetur për të vuajtur pas qelie edhe 1 vit e 6 muaj burgim nga 6 vite e 8 muaj të dënimit që kishte marrë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Në fakt, fizikisht Ermal Hoxha, i arrestuar në 14 janar të 2015 si pjesë e grupit të kokainës në laboratorin e Xibrrakës, deri më 20 korrik të këtij viti, kohë kur ka regjistruar kërkesën për lirimin me kusht në Gjykatën e Fierit kishte qëndruar në qeli fiks 3 vite, 6 muaj e 5 ditë.

Ai ka përfituar ulje nga koha që ka qëndruar në paraburgim gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, ku një ditë pas hekurave llogaritet me një ditë e gjysmë burgim. Për këtë, Gjykata thotë se Ermal Hoxha ka fituar 1 vit e pesë muaj burgim. Jo vetëm kaq, 1 muaj Ermal Hoxhës i është zbritur për aktivizimin në punë gjatë vuajtjes së dënimit.

Nga vendimi i zbardhur i Gjykatës së Fierit, vihet re që kërkesa e dorëzuar për lirimin me kusht ishte e kopsitur, që me vlerësimin e komisiomit të burgjeve, vlerësim sjelljeje për në gjykatë, e deri tek kontrata e punës që Ermal Hoxhën e priste jashtë hekurave.

Komisioni i vlerësimit në burgun e Fierit thotë se Ermal Hoxha plotëson kushtet për lirimin me kusht dhe se gjatë qëndrimit në qeli ai ka patur një sjellje shembullore, e për këtë arsye ka përfituar edhe dy herë leje shpërblyese.

Hoxha vlerësohet pozitivisht edhe nga Zyra Vendore e Shërbimit të Provës në Fier, e cila kishte arritur në përfundimin se “riintegrimi i të dënuarit Ermal Hoxha në shoqëri ishte i mundshëm”, duke renditur disa arsye”.

Si fillim, zyra thotë se gjatë intervistave ai shprehet i penduar për veprën penale të konsumuar. “Ai është ndërgjegjësuar dhe dënon veprimin, çka tregon se ky i dënuar është rehabilituar dhe i gatshëm për t’u riintegruar në shoqëri”.

Më pas, mes arsyeve renditet e shkuara e pastër penale e tij në CV, një vërtetim ku i premtohet punësimi në një kompani fill pas përfundimit të lirisë me kusht. Nga kontrata e punës Ermal Hoxhës i është ofruar pozicioni i ekonomistët në “Hera Company”, kompani në pronësi të bashkëshortes së tij, Rezarta Shkurta.

Arsyet e tjera rendisin moskonsumimin e alkoolit dhe lëndëve narkotike, që do të kujdeset për veten dhe familjen e tij dhe se për lirimin ka mbështetjen e plotë të familjes dhe shoqërisë, çka sipas Zyrës së Shërbimit të Provës “ndikon pozitivisht tek riintegrimi i të dënuarit”.

Të gjitha raportet pozitive të palës mbrojtëse u rrëzuan nga Prokuroria, që në këtë proces i kërkoi gjyqtarit Piro Sota që ta refuzojë kërkesën. Prokuroria renditi arsyet e saj se përse kërkesa duhej rrëzuar.

Së pari prokuroria thotë se Ermal Hoxha është dënuar për vepra penale në kuadër të një organizate kriminale dhe kujton se gjatë të gjithë procesit gjyqësor, i dënuari as ka shfaqur shenja pendimi dhe as ka bashkëpunuar me drejtësinë.

Së dyti, prokuroria thotë se koha që ai kaloi pas hekurave është minimale dhe e pamjaftueshme dhe se nuk ka asnjë provë e shenjë që i dënuari paraqet një rast të veçantë që mund të ligjërojë lirimin e tij para kohe. Prokuroria thotë se praktika ka provuar se personat e dënuar me akuzat e Ermal Hoxhës nuk rehabilitohen me masa alternative jondëshkuese.

‘Përkundrazi, praktika ka treguar se personat e dënuar për këto vepra penale, jo vetëm që nuk rehabilitohen, por përfshihen në krime më të rënda pas vuajtjes së dënimit”, deklaron prokuroria.

Në fund, Prokuroria thotë se koha prej 3 vitesh e 8 muajsh në qeli, nuk tregon se Ermal Hoxha ka reflektuar, por thjeshtë është koha më e shkurtër të cilën ai e ka marrë parasysh si kosto kur është përfshirë në organizatën kriminale.

Pasi ka dëgjuar të dyja palët, Gjykata mori atë vendim që dihet tashmë; lirimin me kusht të Ermal Hoxhës, duke rrëzuar pretendimet e Prokurorisë dhe pranuar kërkesën e palës mbrojtëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë