Muzike

Eriona Rushiti zbulon detaje nga përgatitja për ‘Eurovision-in’: Pse ‘Duje’ do godasë dhe një ogur i mirë nga Mbreti Charles III

Nga Gazeta Si – Ka filluar numërimi mbrapsht për “Eurovision 2023”, i cili do të mbahet nga 9 deri më 13 maj në Liverpul të Anglisë. “Duje” e interpretuar nga Albina dhe familja Kelmendi është kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2023”.

Është hera e parë që një familje përfaqëson vendin në këtë festival dhe tematika e familjes që mbart kënga “Duje” këtë vit jepet pikërisht me 6 anëtarët e saj. Ata performojnë bashkë në skenë, duke folur për një familje dhe duke u kënduar nga një familje.  

“Duje” ka një mesazh të veçantë, pasi flet për një familje e cila shkatërrohet për shkak të problemeve të përditshme dhe përçon thirrjen për ta mbrojtur, për ta dashur dhe të mos e shkatërrojmë për një fjalë.

Tanimë është publikuar dhe versioni zyrtar i këngës, shoqëruar edhe me videoklip, ndërkohë më 11 maj, natën e dytë gjysmëfinale Albina Kelmendin, do ta shohim të performojë në skenën e madhe.

Kompozitorja dhe tekstshkruesja Eriona Rushiti, e cila ka shkruar tekstin e këngës përfaqësuese të Shqipërisë në “Eurovision 2023”, shprehet për Gazetën “Si” se familja Kelmendi është një familje mjaft e vërtetë dhe skena ka nevojë për emocione të vërteta.

“Në radhë të parë ata janë një familje shumë e shëndetshme gjë që reflektohet si në punën që bëjmë bashkë, si në skenë, pra është një familje mjaft e vërtetë. Ata do të jenë në skenë me të vërtetën e tyre dhe kjo i bën ata shumë të veçantë, shumë specialë, tepër të vërtetë dhe emocioni i vërtetë është gjëja më e bukur në skenë”, shprehet kompozitorja Rushiti për Gazetën “Si”.

Kënga “Duje” u shpall fituese e çmimit të publikut në “Fest ‘61”, duke marrë të drejtën e prezantimit të Shqipërisë në Eurovision. Rushiti thotë se versioni përfundimtar i këngës është punuar në një studio prestigjioze në Stamboll, duke e bërë më energjike si këngë.

“Pas festivalit, si çdo pjesëmarrje në Eurovizion, kënga duhet ripunuar për t’u përshtatur me të gjithë parametrat që Eurovizioni, kështu që ishim të detyruar të gjenim një studio. Studio më e mirë sipas mendimit tonë ishte një studio në Stamboll që kupton më mirë muzikën ballkanike, që ka instrumentet, të cilat i duhen këngës dhe kështu që është shumë e rëndësishme që të gjithë instrumentet u hodhën live, pothuajse kënga është 100% me instrumente të gjallë para atij kompjuterik. Për sa i takon këngës, nuk ka asnjë ndryshim si në tekst ashtu edhe në melodi, vetëm në orkestracion dhe produksion muzikor është pasuruar, është bërë më energjike si këngë dhe nuk ka asnjë ndryshim tjetër” shton ajo.

Rushiti thotë se paraqitja skenike do të realizohet nga Sacha Jean Baptiste, një ndër regjisoret skenike më të njohura në Eurovizion. Po ashtu ndalet edhe te rëndësia që ka performanca skenike.

“Kjo nuk është eksperienca ime e parë, ndaj duke ditur si funksionon skena e madhe e Eurovizionit, ku përveç këngës, përveç vokalit, një peshë shumë të madhe merr edhe paraqitja skenike. Kur them paraqitja skenike bëhet fjalë për imazhet, për ndriçimin, për veshjen, pra një kurim i plotë artistik në skenë dhe kështu që vendosëm të bashkëpunonim me Sacha Jean Baptiste. Për ne ishte fat i madh që mori përsipër edhe shtetin tonë dhe jemi plot shpresa që performanca e Shqipërisë do të jetë shumë e bukur”, vijon më tej kompozitorja.

Kompozitorja dhe tekstshkruesja Eriona Rushiti

Rushiti është entuziaste që kënga do të paraqitet në gjuhën shqipe, pasi sipas saj është çelësi i suksesit për të pasur identitetin tënd si shtet, si komb.

“Unë jam gjithmonë partizane e të kënduarit në gjuhën amtare të çdo shteti se kështu krijohet edhe diversiteti, përveç gjuhës çdo shtet për mendimin tim duhet të ketë edhe traditën e tij, pasi shpeshherë në Eurovizion por edhe këtë vit kemi parë që shumë këngë, duke qenë këngë shumica komerciale, duket edhe sikur ngjajnë me njëra-tjetrën, duke mos pasur kështu një individualitet të qartë. Aq më tepër që sivjet bëhet fjalë për një tematikë shumë të ndjeshme, siç është ajo e familjes, sigurisht që do këndohej në gjuhën shqipe pikërisht për të treguar traditën e familjes shqiptare, ndaj nuk e kam parë të arsyeshme që kënga të përkthehet në anglisht”, thotë ajo, ndërsa shton se “mesazhi do të jepet edhe në skenë, do të jepet nëpërmjet lëvizjeve” thekson ajo.

Rushiti ndalet edhe te risitë e këtij viti për sa i përket votimit. Dy netët e para gjysmëfinale janë të bazuara vetëm në votën e publikut si dhe mund të votohet online nëpërmjet faqes zyrtare të Eurovizionit, duke shmangur në këtë mënyrë juritë.

“Sivjet ka një risi në Eurovizion pasi dy netët e para gjysmëfinale janë të bazuara vetëm në votën e publikut, që do të thotë do të votohet nga shtetet pjesëmarrëse të natës në të cilën konkurrohet, pra ne që jemi në natën e dytë gjysmëfinale mund të votohemi nga shtetet që marrin pjesë në këtë natë. Një risi tjetër është që sivjet mund të votohet online nëpërmjet faqes zyrtare të Eurovizionit, dhe mund të votojë çdo individ nga e gjithë bota, nga të gjithë kontinentet dhe janë shmangur juritë. Pra kënga shkon në finale vetëm nëpërmjet votës së njerëzve, kështu që është shumë e rëndësishme hapi i parë për Shqipërinë, kalimi në finale, pasi nuk ka më juri. Sa më shumë të votohet, aq më të sigurt e kemi finalen”, shpjegon Rushiti, ndërsa shton se “në finale sigurisht që ka shtete shumë të fuqishme, shumë të forta, që kanë eksperiencë të gjatë në Eurovizion, por besoj që duke pasur një tematikë shumë të bukur, jemi krejt të veçantë në Eurovizion, mund të themi që edhe pretendojmë shumë këtë vit” tha Rushiti.

Duke e analizuar në aspektin muzikor, ajo thotë se kemi një këngë, e cila ka një zhvillim shumë të madh dhe shkon kulminacioni në fund të këngës.

“Kënga në vetvete nuk është një këngë repititive (përsëritëse) siç është struktura e përgjithshme e këngëve. Regjisorja po ashtu duke parë tiparet e kësaj kënge, e ka imagjinuar dhe e ka hedhur në letër idenë që fundi i këngës të jetë shumë madhështor me elementë fishekzjarrësh, me ngjyra të forta, me lëvizje, kështu që fundi i këngës do të jetë madhështor, ashtu siç i takon edhe madhështisë së tematikës së këngës” shton kompozitorja.

Ajo ndan dhe një detaj lidhur me skenën dhe ndezjen simbolike të dritave, që u përurua të mërkurën më 26 prill nga Mbreti Charles III dhe gruaja e tij, Kamila. Sipas saj ndezja e dritave nga një familje tradicionale është një ogur shumë i mirë pikërisht edhe për mesazhin që ne përcjellim, ndaj është shpresëplotë që kjo këngë duke i kënduar familjes do të pritet mjaft mirë.

“Shtoj dhe faktin që skenat, ndriçimi, dritat u ndezën pikërisht nga familja mbretërore, nga mbreti dhe nga mbretëresha, e cila siç e dimë të gjithë është një familje mjaft tradicionale. Unë shoh këtu një lidhje shumë të bukur që përkon sivjet me vendin ku mbahet Eurovizioni, me Anglinë. Ndezjen e dritave që e bëri familja mbretërore, e shikoj si një ogur shumë të mirë pikërisht edhe për mesazhin që ne përcjellim. Besoj që do të vlerësohet pikërisht edhe nga vendi në të cilin mbahet Eurovizioni”, përfundon Rushiti për Gazetën “Si”.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë