Treg

ERE: Konsumi total i energjisë u rrit në 2021, por i familjeve ra. Ngrohja, përdorimi kryesor

Nga Gazeta ‘SI’ - Në vitin 2021, Shqipëria konsumoi sasinë më të madhe ndonjëherë të energjisë, rreth 5.8 mln megavatorë, por konsumi familjar shënoi rënie me 3.6%, nga 2020-a që ishte viti i pandemisë, sipas studimit të sapopublikuar nga ERE.

Sipas llojit të shpenzimit, familjet shqiptare konsumojnë më së shumti për ngrohjen, 37% e totalit të konsumit, ndjekur nga 36% për TV, gatim, larje-tharje rrobash dhe 27% për ngrohjen e ujit, ndriçimin dhe ftohjen.

Familjet në zonat perëndimore dhe qendrore në Shqipëri konsumojnë mesatarisht më shumë energji sesa familjet në zonat verilindore, pasi këto të fundit janë përdorues të lëndës drusore për disa qëllime (ngrohja, gatimi etj). Studimi tregon se apartamentet, që janë më të vogla se një shtëpi private dhe janë të izoluara nga moti nga apartamentet ngjitur e kanë më të vogël nevojën për të përdorur energjinë për ngrohje. Një familje mesatare që jeton në një shtëpi private konsumon gati tre herë më shumë energji sesa një familje që jeton në një ndërtesë apartamentesh që ka pesë ose më shumë apartamente.

Familjet në shtëpi të mëdha dhe familjet më të mëdha priren të përdorin më shumë energji në përgjithësi se sa shtëpitë e vogla dhe familjet më të vogla.

Përpos statistikave, ERE shpjegon dhe sjelljet konsumatorë të familjeve në Shqipëri kundrejt përdorimit të energjisë.  Ajo ndahet në tre grupime; mjedisore, sociale dhe ekonomike, nisur nga tendencat sezonale, kultura, zakonet, pajisje, aktiviteti, grupmosha, forca ekonomike, higjiena, arsimi, shëndeti, luksi.

“Sjellja dhe zakonet e përdoruesit vendosin se ku, kur dhe si përdoret energjia. Disa sjellje të lidhura me rehatinë personale, luksin dhe shëndetin për shembull janë shkaqet kryesore të sjelljes që lidhen me përdorimin e energjisë. Por në të njëjtën kohë ato janë më të vështira për t'u ndryshuar sepse nuk mund të preken lehtë. Vështirësia vjen nga ndikimi i thellë psikologjik i ndryshimit apo kufizimit të zakoneve të tilla. Në disa raste, përdoruesi detyrohet të adoptojë një "mënyrë jetese" për shkak të shëndetit”, -shpjegon Enti.

Studimi shpjegon dhe situatën energjetike të 2022-shit deri në 9-mujor, ku u konsumua rreth 2.3 mln megavat nga 1.1 mln abonentë familjarë. Kjo ishte dhe periudha kur qeveri prezantoi planin e saj për fashën e konsumit 800 Kwh, që nuk hyri kurrë në fuqi. Por sipas ERE, çdo ndryshim tek sjellja e konsumatorëve transmetohet direkt në çdo orë në ngarkesën që përdoret.

ERE përmend si problem dhe mungesën e censit, për të parashikuar më mirë nevojën konsumatore. I fundit nga Instat është ai i vitit 2011.

Tabela e konsumit 9-mujori 2022, ERE

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë