Menaxhim

ERE: 1 mln shqiptarë nuk e paguajnë dot energjinë për ngrohje. Të ndihmohen në faturë dhe në infrastrukturë

Nga Gazeta ‘SI’ – Pothuajse 1 milionë shqiptarë nuk mund të mbajnë ngrohtë banesat e tyre gjatë dimrit. Shifrat e publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se saktësisht 988.17 mijë qytetarë nuk paguajnë dot faturat e ngrohjes për shkak të kostove, që njihet si ‘varfëri energjetike’.

Në dokumentin mbi vlerësimin e varfërisë energjetike në vend, Enti Rregullator i Energjisë jep disa rekomandime për të ndihmuar pikërisht këta konsumatorë.

Për të zgjidhur këtë ‘problem’ dhe për t’i ofruar të gjithë qytetarëve elektricitet, ERE sugjeron mbështetje financiare përmes pagesave në faturë, por edhe në infrastrukturë si p.sh  zëvendësim i pajisjeve, rinovim banesash etj. Kjo e dyta, është edhe më eficiente, sipas Entit sepse ul konsumin dhe rrjedhimisht kostot.

Mbështetur në praktikat europiane, ERE thotë se për të kuptuar nivelin e varfërisë energjetike në Shqipëri duhet të bëhet një analizë mbi peshën e shpenzimeve për energjinë kundrejt atyre totale që tani përllogaritet 10%, të vendoset një minimum jetik për konsumin e energjisë si edhe profilizim i konsumit.

Ky zhvillim nuk mund të bëhet vetëm në nivel qendror.

“Angazhimi në nivel lokal është po aq i rëndësishëm sa ai në nivel qendror. Për këtë arsye është mjaft rëndësishme kryerja e një vlerësimi e asaj që është bërë tashmë si në kuadër të një nisme lokale ashtu edhe në kuadër të një bashkëpunimi me shoqatat që mund të ofrojnë të dhëna të rëndësishme në adresimin e varfërisë së energjisë. Objektivi kryesor është mbledhja e elementëve të mjaftueshëm për të kaluar nga një panoramë e përgjithshme në një vlerësim konkret dhe për të karakterizuar varfërinë lokale energjitike”, shkruhet në studimin e Entit.

Në dokument theksohet se për të zbuluar varfërinë reale energjetike dhe për ta ndryshuar atë duhen të dhëna social-ekonomike, demografike, klimatike, kulturore dhe sigurisht të dhëna nga stoku i ndërtimit.

ERE sqaron se as Komisioni Europian nuk ka ende një term të pranuar për ‘varfërinë energjetike’, por në Shqipëri lidhet me vulnerabilitetin e klientëve në nevojë. Termi është zgjeruar edhe me aspekte të qasjes në burime të energjisë, konsumin eficient, ajrin e pastër etj.

Në Shqipëri janë dy masa që ofrohen për konsumatorët në nevojë (familjet në nevojë) lidhur me shpenzimet e energjisë elektrike. Grupet e synuara për të dyja masat janë familjet që përfitojnë nga skema e ndihmës sociale (pagesat sociale), përfituesit e ndihmës për aftësinë e kufizuar, pleqëria, pensionistët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët dhe familjet me të ardhura të ulëta, ato mujore më poshtë se 35 000 lekë (283 euro) në muaj. Këto masa janë të përgjithshme dhe nuk merret parasysh gjinia. Masat aktuale përfaqësojnë ndihmë afatshkurtër për familjet në kushtet e varfërisë. Shuma totale e mbështetjes financiare të ofruar për aplikantët që nga fillimi i periudhës së zbatimit, pra nga viti 2006 deri më sot është 15 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë