Lajme

Erdogan shpall fitoren presidenciale dhe parlamentare

Edhe pse rezultatet përfundimtare nuk kishin dalë ende, qindra qytetarë u mblodhën në Stamboll për të festuar fitoren e Rexhep Tajip Erdogan, pak pasi ky i fundit deklaroi se numërimet e votimeve tregonin se ai kishte fituar edhe njëherë tjetër presidencën. Sipas “BBC”, Erdogan ka fituar 53% të votave, ndërsa rivali i tij kryesor Muharrem Inçi, ka marrë 31% të votave. Erdogan deklaroi gjithashtu se partia e tij qeverisëse, AKP-ja kishte siguruar shumicën parlamentare dhe se këto zgjedhje ishin prova më e suksesshme e demokracisë në Turqi.

“Qytetarët i dhanë përgjegjësi të madhe Aleancës Popullore dhe Partisë AKP duke i besuar shumicën në kuvend. Turqia i dha gjithë botës një leksion mbi demokracinë me pjesëmarrjen, e cila arrin deri në 90 për qind”, u shpreh Erdogan.

Sipas kushtetutës së re të Turqisë, me fitoren e zgjedhjeve, presidenti Erdogan i siguroi vetes të tjera fuqi të konsiderueshme. Përsa i përket votave parlamentare, AKP kryeson me 53.8% të votave, vendin e dytë e mban opozita CHP-IYI me 34.03% të votave kurse partia kurde, HDP ka 11.05% të votave. Partia pro-kurde ka marrë më shumë se 10% të votave, duke fituar kështu të drejtën për të hyrë në parlament. Kjo mund t’ia bëjë më të vështirë partisë së Erdogan dhe aleatit të tij, partisë MHP, të arrijnë një shumicë të konsiderueshme parlamentare. Presidenti turk, Tayyip Erdogan, i është drejtuar përkrahësve të tij në Stamboll, duke deklaruar se pjesëmarrja në zgjedhje ishte maksimale.(më shumë se 90%). Megjithatë, sipas televizionit shtetëror, pjesëmarrja nuk i kalonte më shumë se 87%.

Pavarësisht se rezultatet nuk ishin ende zyrtare, një sërë liderësh botërorë, duke filluar nga ai i Katarit dhe duke përfunduar me liderin hungarez, Viktor Orban,  kanë uruar Erdogan për fitoren. Mes vendeve që kanë mikpritur fitoren e tij, ka qënë edhe Shqipëria, pasi Kryeministri Edi Rama ka uruar presidentin Erdoğan për suksesin zgjedhor përmes një bisede telefonike. Sipas burimeve presidenciale, presidenti Erdoğan falënderoi kryeministrin e Shqipërisë për urimin.

Nga ana tjetër, mësohet gjithashtu se edhe Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, ka uruar presidentin për fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, nëpërmjet një telefonate të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë