Lajme

Erdogan “dorëzon” përfundimisht Stambollin pas 25 vitesh

Presidenti Recep Tayyip Erdogan pësoi humbjen e dytë  në Stamboll në zgjedhjet e zhvilluara në një kohë të shkurtër dhe “dorëzon” qytetin më të madh turk pas 25 vitesh.

Kandidati i partisë në pushtet në zgjedhjet e përsëritura për Kryetar Bashkie në Stamboll, Binali Yildirim, pranoi humbjen ndaj kandidatit të opozitës, Ekrem Imamoglu.

Kur janë numëruar 99.37% të votave, Ekrem Imamoglu shpallet fitues në zgjedhjet për bashkinë e Stambollit. Kandidati i Partisë Republikane, në opozitë, ka fituar me 54,93% të votave përballë ish-kryeministrit Binali Yildirim, nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, që mori 45,09% të votave.

Votimi i së dielës u mbajt pas anulimit të debatueshëm nga ana e zyrtarëve të zgjedhjeve të fitores së parë historike të zotit Imamoglu në mars, për teknikalitete pasi Presidenti Recep Tayyip Erdogan e kundërshtoi humbjen e kandidatit të tij.

Në një tregues të rëndësisë së zgjedhjeve, votimi filloi herët dhe me ritme të shpejta në një qytet kur zakonisht banorët votojnë vonë. Pjesëmarrja ishte e lartë.

Stambolli shkëputet pas 25 vitesh nga kontrolli i partisë së Presidentit Erdogan.

Me një popullsi të regjistruar prej 10.56 milionë banorësh, Stambolli përfaqëson 1/5-tën e vendit me popullsi prej 82 milionë banorësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë