Kosova

Ende pa datë për zgjedhjet, por partitë në Kosovë kanë nisur fushatën

Rrëzimi i qeverisë “Hoti” ka krijuar një realitet të ri politik në Kosovë. Pas vendimit të Kushtetueses, ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani pritet që të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në afat prej 40 ditësh, por ende pa e marrë këtë vendim, partitë politike kanë filluar fushatën.

I pari që ka nisur fushatën është kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kandidat për kryeministër, Enver Hoxhaj.

Ai ka postuar në rrjetin social “Facebook” një fotografi të rrugës “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Hoxhaj ka thënë se ajo që dikur ishte vetëm ëndërr, PDK-ja e bëri realitet.

“Ajo që dikur ishte vetëm ëndërr, PDK e bëri realitet! Autostrada “Arbën Xhaferi”, që mban emrin e shqiptarit të madh!”, ka shkruar ai.

Ndërsa, një ditë më parë nga kjo parti janë takuar me përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Odës së Mjekëve dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Nuk ka mbetur pa u përfshirë në fushatë as Vjosa Osmani.

Pesë anëtarë të asamblsë së LDK-së në Komunën e Ferizajt i janë bashkuar asaj në këto zgjedhje dhe e takuan Osmanin në Presidencë.

“Po, është e vërtetë. Kemi shkuar në Presidencë për t’u takuar me zonjën Vjosa Osmani. Ne në zgjedhje do ta mbështesim listën e saj. Ky hap vjen pasi mendojmë që është zgjedhja e duhur për vendin. Kështu që do të mbështesim atë”, ka thënë Hesat Shatrolli, një nga asamblistët që tashmë i është bashkuar Osmanit në iniciativën e re, shkruan gazeta “Zëri”.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Vjosa Osmani, po ashtu publikoi pamje të ambientit të Presidencës, ku flamuri dardan valëvitej mes atij të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Duke qenë se flamuri dardan ishte simbol i liderit historik të LDK-së, Ibrahim Rugova kreu aktual i saj Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur duke e quajtur këtë veprim të Vjosa Osmanit si “gënjeshtër folklorike”.

Në këtë debat janë përfshirë edhe anëtarë të tjerë të LDK-së duke sulmuar Osmanin se me votat e LDK-së po “kalon” te Kurti.

Limaj në Prizren, Haradinaj në Deçan

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhdar tubimet me strukturat drejtuese të Nismës në qytetin e Prizrenit.

Limaj ka ftuar strukturat e Nismës të mobilizohen fuqishëm në mbrojtje të vlerave tona kombëtare të cilat po rrezikohen.

Ndërsa, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takim me strukturat e degës së Aleancës në Deçan. Haradinaj në rrjetin social Facebook ka shpërndarë fotografi gjatë këtij takimi.

“Deçani sot, i mobilizuar për fitore!”, ka shkruar ai.

Kurti në Stubëll me bashkatdhetarët

Ka qenë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila ka nisur “të mbledh votues”.

“Varet sesi do të shkojë në zgjedhje Osmani. Për aq sa ajo ka deklaruar dhe kemi parë deri më tani sigurisht që do të krijojë një listë zgjedhore dhe do të garojë bashkë me ne në listën e përbashkët”, tha nënkryetarja e Kuvendit.

“Ne besojmë që do të garojmë bashkërisht në këto zgjedhje dhe do të fitojmë shumicën”, theksoi ajo më tej.

Gjatë ditës së djeshme kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti bashkë me ish Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ish-ministren e Ekonomisë Rozeta Hajdari, Kryetarin e Qendrës së Vitisë, Nijazi Isaku, e bashkaktivistë shënuan Krishtlindjen në Kishën e Shën Jozefit me besimtarët e Stubllës së Epërme e bashkëatdhetarët që kanë ardhur këto ditë në familjet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë