Libra

Enciklopedia, Shaban Sinani tregon detajet e ‘bankës’ më të madhe të të dhënave për shqiptarët kudo që ndodhen

Nga Gazeta Si - Për herë të parë është duke u punuar për shkrimin e një enciklopedie për shqiptarët në të gjithë trevat shqipfolëse. Puna për hartimin e saj pritet të nisë zyrtarisht këtë muaj nga Akademia e Shkencave. Më 16 janar do të zhvillohet mbledhja e parë e redaksive dhe do të bëhet një plan pune.

Sekretari shkencor i Akademisë, Shaban Sinani, shpjegon për Gazetën Si se si do vijojë procesi i këtij projekti madhor.

“Më 16-17 janar zhvillohet mbledhja e parë e redaksisë qendrore, krijohen grupet e punës për hartimin e kritereve, hierarkinë e artikujve (monografi, artikuj të mëdhenj, të mesëm, të vegjël e përmbledhës); për udhëzuesit metodologjikë dhe për kalendarin afatshkurtër të punës. Deri në mesin e këtij viti do të jenë ngritur dy redaksitë vendore, një redaksi e vogël në Maqedoninë e Veriut dhe rreth 30 redaksi të fushave të ekspertizës. Menjëherë pas kësaj nis ndarja e detyrave, që për çdo zë enciklopedik të jetë ngarkuar hartuesi i tij. Deri në fund të këtij viti do të kemi depozitimet e para të lëndës enciklopedike me vlerë përfaqësuese për botën shqiptare, trashëgiminë materiale, shpirtërore e natyrore të shqiptarëve”, shprehet Sinani për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “në fazën e parë (para dy vitesh) u hartuan platforma dhe preventivi; u arrit marrëveshja me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u propozua dhe u miratua marrëveshja ndërqeveritare; u hartuan rregulloret teknike dhe janë ngritur redaksia qendrore dhe dy redaksitë vendore (në Tiranë e në Prishtinë)”.

Sekretari shkencor i Akademisë së Shkencave, Shaban Sinani

Sinani thotë se deri më tani kemi pasur fjalorë enciklopedikë për Shqipërinë (në tri vëllime) dhe për Kosovën (në dy vëllime); kemi enciklopedi krahinash e fushash, fjalorë, leksikonë, por jo një enciklopedi që përuron vlerat shqiptare në tërësi.

“’Enciklopedia shqiptare’ do të jetë banka më e madhe e të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët, pavarësisht ku jetojnë, çfarë besojnë, ç’bindje kanë. Botimi 10-vëllimësh që do të përgatitet brenda pesë vjetëve, do të ketë rreth 10 mijë zëra, të përshkallëzuar sipas rëndësisë dhe vlerave përfaqësuese. Enciklopedia do të stabilizojë dijen për botën shqiptare në mënyrë perspektive. Do të jetë vepra kolektive institucionale më e madhe e derisotme”, vijon më tej Sinani.

Numri i autorëve që do të ftohen për bashkëpunim mund të jetë deri dy mijë. Por a kanë institucionet shkencore shqiptare, 2000 studiues për përgatitjen e enciklopedisë? Sipas sekretarit shkencor të Akademisë, Shaban Sinani, në hartimin e Enciklopedisë do të përfshihen edhe përfaqësues të arbëreshëve dhe arvanitasve.

“Do të punohet për këtë vepër jo vetëm në hapësirën historike kombëtare ‘kontinentale’, por edhe me përfaqësues të shquar të dijes ndër arbëreshët e arvanitët, në ngulimet historike dhe bashkësitë e reja. Fjalorët enciklopedikë, përgjithësisht botimet enciklopedike me karakter përveçues (emërtime historike, gjeografike, toponimike, patronimike, etnonimike etj.), janë dije e gatshme për Enciklopedinë, që redaksitë do ta vlerësojnë me mendje kritike dhe sens vlerësues. Nuk është shqetësim autorësia, gjetja e hartuesve të artikujve dhe zërave. Ne duhet t’u përgjigjemi mundësive intelektuale me një organizim të frytshëm”, thotë ndër të tjera Sinani.

Në hartimin e Enciklopedisë nuk do të përjashtohen as albanologët e huaj, qendrat kërkimore dhe katedrat e albanistikës në botë.

“Profesoratin dhe kërkuesit e huaj në shkencat shqiptare, i konsiderojmë pjesë tonën dhe do të ftohen sipas kompetencës në fushën e ekspertizës”, vijon më tej sekretari i ASH.

Por sa do të arrihet që të hartohet një Enciklopedi larg polemikave? Sinani thotë se politikat botuese të “Enciklopedisë” nuk do të bëhen shkak për këtë dhe se në dallim prej të tjerëve, ideologjia kombëtare e shqiptarëve nuk e njeh ngritjen në dëm të tjetrit.

“Polemikave nuk u shpëton asnjë botim enciklopedik, qoftë dhe për arsyen e thjeshtë që ‘Enciklopedia’ është në çdo rast edhe protokoll vlerash. Implikohen në mënyrë të pashmangshme ndjeshmëritë e lexuesit, që mund të jenë vetjake, krahinore, fetare apo ideologjike. Dokumentet që janë hartuar dhe do të shërbejnë si rregullatorë të punës dhe vetë politikat e redaksive synojnë që të mos ketë privilegjime, përllogaritje, zmadhime apo kufizime vlerash të lëndës enciklopedike në vepër. ‘Enciklopedia shqiptare’ do të ketë funksion e karakter përurues të identitetit shqiptar dhe nuk ka për qëllim as të dëmtojë tjetrin, as ta ftojë në polemikë. Është një traditë e shkëlqyer që nga shekulli i romantizmit. Por polemika mund të ketë, sepse jo të gjitha të vërtetat tona pëlqehen”, vijon më tej ai.

Ndonëse ka edhe figura dhe zona të debatuara ose pretenduara edhe nga fqinjët, sipas Sinanit “Bota shqiptare nuk ndahet me kufij, siç është ndarë hapësira shqiptare për shkaqe të njohura”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë