Njerez

Emigrimi shton kërkesat për azil, ekspertët: Në listë-pritje të moshuar të sapo dalë në pension. Papërgjegjshmëria e fëmijëve, të dënohet me ligj

Nga Gazeta Si- “Në listë-pritjen e të moshuarve që kërkojnë të strehohen në Azil këtë vit, është dhe një 62-vjeçare e cila sapo ka dalë në pension. Megjithëse punon akoma, ka kërkuar të strehohet në Tiranë sepse fëmijët i ka jashtë dhe nuk ka një banesë të sajën”.

Shqetësimi i ekspertëve të shërbimit social në Ministrinë e Punës dhe Çështjes Sociale është rritja me shpejtësi e numrit të të moshuarve të porsadalë në pension të cilët në mungesë të një banese dhe përkujdesi të fëmijëve, detyrohen të kërkojnë strehim në shtëpitë e të moshuarve.

“Imagjinoni sikur të strehojmë dhe 62-vjeçarë në azil, si do vepronim për 80-90-vjeçarët, numri i të cilëve është rritur ndjeshëm 5-vitet e fundit si pasojë e largimit të fëmijëve drejt emigrimit”, thonë burime zyrtare për Gazetasi.al.

Sipas tyre, kërkesat për strehim në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, janë më të larta, megjithëse kriteri i përzgjedhjes është të jetë banor i kryeqytetit.

“Rasti më i fundit është një 90-vjeçare nga Durrësi, e cila ka refuzuar të strehohet në Shtëpinë e të Moshuarve Kavajë dhe dëshiron të jetë në Tiranë. Aktualisht është liruar një vend dhe ajo pas disa muajsh pritje, do të vijë në Tiranë”, thotë përgjegjësja për Institucionet e Përkujdesjes së të Moshuarve në Shërbimin Social, Alkida Hysenaj.

Në një raport të fundit mbi nevojat dhe kapacitetet e qendrave rezidente të të moshuarve në vendin tonë, kërkesat për strehim sa vjen dhe shtohet.

“Megjithëse shërbimet sociale për të moshuarit funksionojnë në disa lloje, shërbime rezidenciale, qendra ditore apo shërbim në banesë, kërkesat më të shpeshta janë për rezidencat. Kapacitetet më të mëdha i ka qarku Shkodër rreth 65, e më pas renditen Gjirokastra, Tirana, Fieri dhe Saranda. E megjithatë, për Tiranën kërkesat janë më të larta, pasi të gjithë duan të vijnë në Tiranë”, thonë ekspertët e shërbimit social për Gazetasi.al.

Por si përzgjidhen të moshuarit që duan të strehohen në Azil?

Sipas Hysenit, kriteret për përzgjedhjen e të moshuarve në qendrat komunitare/rezidenciale për të moshuar përcaktohen në VKM-në “Për shërbimet e kujdesit shoqëror komunitar e rezidencial”.

Konkretisht, për të përfituar shërbimin në qendrat ditore për të moshuar, të moshuarit duhet të kenë mbushur moshën e pensionit dhe të përfitojnë pension social ose minimal. Gjithashtu duhet të jenë të vetmuar e të braktisur.

“Në shërbimet në qendrat rezidenciale për të moshuar, kriteri dallues lidhet me faktin që i moshuari s’duhet të ketë banesë apo llogari bankare. Vitet e fundit, konstatohen raste të shumta që duan strehim pikërisht për shkak të vetmisë e mungesës së një banese”, thotë Hysenaj, duke shtuar se shumica janë prindër që fëmijët i kanë në emigrim dhe më pas renditen ata të moshuar që nuk kanë fëmijë, por ka dhe raste të moshuarish që nuk janë martuar dhe kur rëndohen nga sëmundja e mosha, detyrohen të strehohen në Rezidencat sociale për të moshuar.

Sipas Hysenajt, në shumë bashki të vendit funksionojnë shërbime për të moshuarit, por që financohen nga fondi i bashkive ose organizata sikurse dhe shërbime të financuara nga fondi social.

“Me gjithë kërkesat, sipas rekomandimeve të BE-së, qëllimi ynë është integrimi i të moshuarve në komunitet, duke i akomoduar në qendra komunitare, jo në Rezidenca. Por ajo që duhet theksuar është sanksionimi i fëmijëve që braktisin prindërit. Është e pafalshme që të lihen prindërit në mëshirën e fatit. Një pjesë e mirë e tyre kanë dhe sëmundje bashkëshoqëruese. Ndonëse fëmijët dërgojnë para, nevoja për dashuri e ngrohtësi është më e madhe se ajo ekonomike”, thonë sociologët.

Sipas tyre, një nga shkaqet e prekjes së të moshuarve nga problemet e shëndetit mendor si depresioni, ankthi, janë dhe pasojat e largimit të fëmijëve nga vatra familjare, duke lënë prindërit vetëm.

“Duke u plakur ata rëndohen nga shëndeti mendor, dashuria e nipërve e mbesave, dashuria e fëmijëve që nesër do të jenë dhe ata gjyshër, është e pazëvendësueshme, Duhet të ketë sanksione ligjore pasi është krim të lësh prindërit pa mbrojtje, pa përkujdesje”, thonë sociologët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë