***
Qëndroja aty, buzë një shkëmbi të madh që zgjatohej si ballkon mbi përjetësinë blu të liqenit. Prapa meje, në Maqedoni, qëndronte Manastiri i Shën Naumit. Një pallua, që çapitej me krenari përgjatë çatisë së kuqe, ia shtonte edhe më shumë bukurinë kësaj pamjeje të shenjtë. Vështrimi im kapërceu kufirin ndarës midis dy shteteve, që shënjohej nga një bovë thuajse e padallueshme, dhe mbërriti në bregun më të afërt të Shqipërisë. Sytë u ngulën mbi qytetin tim të lindjes, Pogradecin, pikënisja e eksodit të fundit të familjes sonë, gjatë atij moti të largët të vitit 1942, pas të cilit u dënuam të qëndronim në tokën prej nga nuk do të ktheheshim më.
***
Kështu e nis romanin autobiografik “Emigrimi i ngjalave” shkrimtari i njohur Luan Starova, që pas botimit në 40 gjuhë të botës vjen në shqip nga BOTIMET POETEKA, që e sjell këtë panair të 23-të të librit si një nga ata libra të shënjuar e të rëndësishëm për t’u pasur në bibliotekë.
Edhe këtu , Starova vijon botimin e “Sagës ballkanike”, që tashmë është pjesë e romaneve të mëdhenj europianë. Ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, fashizmit dhe stalinizmit, një familje kërkon ashtu si ngjalat rrugën e lumenjve drejt deteve të largët
“Inspirimi im për të shkruar ‘Sagën Ballkanike’ ka nisur pikërisht këtu, në shtëpinë time në Strugë kur vij pushoj çdo verë. Duke parë matanë liqenit vendlindjen time, Pogradecin, duke shfletuar librat e babait të cilat i trashëgova në gjuhën shqipe, latine dhe në faqe të ndryshme gjatë leximit gjeta hirin e cigares që kishte mbetur nëpër faqe gjatë leximeve të tij dhe ky hi u bë shkak që unë të shkruaj ‘Librat e babait’, si një asociacion i përfytyrimeve të mia për tim atë”, do të rrëfente në një intervistë shkrimtari.
Romani “Emigrimi i ngjalave” ka sërish në qendër babain, krijuesin e bibliotekës dhe të kujtesës së familjes së shkulur nga trualli i vet, bartësit të përvojave, urtësisë dhe historisë së përbotshme dhe të çdo individi të fisit.
Ky roman vjen pas “Librat e Babait”, “Koha e dhive”, “Muzeu i ateizmit” dhe “Bregu i ekzilit”, botuar fillimisht në frëngjisht nga “Fayard”. Me romanin “Koha e jeniçerëve” plotësohet Saga Ballkanike e Starovës”
“Mendoj se të gjitha këto janë si metafora për shqiptarët gjatë një shekulli në kushtet e Ballkanit”, do të shprehej autori.
Emigrimi i ngjalave gjurmon jetën e vendeve, popujve dhe kombeve e kulturave të izoluara e të ndara nga kufij të gjithfarëllojshëm. Bashkë me këto gjurmohet edhe jeta e njerëzve me profesione të thjeshtë apo me profesione liberale, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas, rusë të bardhë apo vendas. Të gjithë janë mbledhur buzë Liqenit, kanë ngecur aty, si ngjalat, që nuk e kryejnë dot ciklin e jetës.

Libri ndjek historinë e familjes së autorit, duke nisur nga rënia e Perandorisë Osmane e deri në fillim të shekullit XX, me shembjen e Jugosllavisë e rënien e komunizmit në vendet totalitare staliniste, përfshi dhe Shqipërinë.
“Ky roman është një metaforë metafizike, metaforë politike; “Emigrimi i ngjalave” pushon pak nga pak së qeni rrugëtimi i disa njerëzve të veçantë, për t’u shndërruar në një udhëtim të njerëzimit me zgjedhjet e tij, me ngurrimet e tij, me gabimet e tij”, shprehet shkrimtari francez Eric Faye.
Gjuhëtari amerikan Victor A. Friedman i cili ka shërbyer edhe si analist politik në OKB rreth politikave në ish-Jugosllavinë dhe është njohës i mirë i rajonit të Ballkanit e vlerëson Starovën si një zë kozmopolit. “Zëri letrar i Luan Starovës është thellësisht kozmopolit, duke qenë edhe veçanërisht Ballkanik dhe, ngandonjëherë, në mënyrë specifike, shqiptar. Identiteti shqiptar i Starovës është i butë, por i qëndrueshëm. Ai ka finesa me të cilën ai e pohon atë identitet, duke siguruar një kuptim shumë më të pasur dhe më të përmbajtur të asaj që është dhe nuk është ‘kombi’”, thotë Friedman.
Për shkrimtarin dhe studiuesin boshnjak Predrag Matvejeviç, Emigrimi i Ngjalave të Luan Starovës është një prej ndihmesave më të mira për studimin e kufijve ballkanikë dhe të
paarsyeshmërisë së ekzistencës së tyre, “në një mënyrë të tillë sa, simbolika e mërgimit të ngjalave, e njohur që prej lashtësisë, tashmë, falë kësaj vepre, zë një vend të rëndësishëm në historinë e kufijve. Ai që e braktis Ballkanin e di se nuk do të reshtë pa e marrë atë brenda vetes – kjo është njëherësh edhe arsyeja e ikjes edhe arsyeja e rikthimit”, shkruante Matveleviç
Ballkani i Starovës shfaqet si një Ballkan i ndryshëm nga stereotipi i njësuar me barbarinë ballkanike. Luan Starova vëzhgon nëse kjo barbari është prirje “e natyrshme”, “e lindur” apo e diktuar nga historia dramatike dhe e ndërlikuar e ballkanasve.
“Po historia jonë mund të shpjegohet nëpërmjet metaforave ikje dhe kthim. Pavarësisht rrethanave dhe fatit, në mënyrë pothuajse instiktive, shqiptarët i kanë mbetur besnikë gjirit familjar. Këtu kemi gjetur forcën që ka munguar në institucionet e kohës së civilizimit europian. Koha konsumon jetën, por jo shpresën”, do të thoshte vetë Starova ndërsa rrëfente sesi për 60 vite e shihte me dylbi vendlindjen nga bregu tjetër i Shën Naumit. Muri Ballkanik, sipas Starovës, ka qenë më i fortë se ai i Berlinit.
“Ne shqiptarët kemi situatë më komplekse e më dramatike dhe identiteti i shqiptarëve në histori ka pasur kundërthënie në krahasim me popujt e tjerë të Ballkanit. Shpesh popullit shqiptar i është dashur të mbijetojë në këto faza kur jo rrallë herë ka flijuar një pjesë të identitetit të tij”, shprehej në një intervistë të para disa viteve, shkrimtari.
Starova u lind në Pogradec, më 1941-shin. Si student i gjuhës dhe i letërsisë frënge, punoi një kohë si gazetar. Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Aktualisht ligjëron në Universitetin e Europës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare, në Napoli.

Ka botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me esse dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht. I përkthyer në 40 gjuhë, Starova renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Është fitues i çmimit më të lartë francez për artet dhe letërsinë.
Ai është themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Strugë, një festival i rëndësishëm që ka laureuar me “Kurorën e Artë” poetë të shquar si Mahmoud Darwish, Allen Ginsberg, Pablo Neruda, Eugenio Montale, Adunis, Yehuda Amichai e shumë të tjerë. Vetë shkrimtari do ta cilëosonte si një pelegrinazh festivalin poetik, që realizohej në Strugën buzë kufirit. Ndërsa miqtë që e shoqëronin, shkrimtarë si Edgar Morin, Andre Freno, Andrei Voznesenskii, Janis Ricos-in apo Rafael Albert, i thoshin se një ditë do të hapet kufiri dhe liqeni nuk do të jetë i ndarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




