Nga Gazeta Si- Marrëveshja për rregulloren e re të riatdhesimeve ka marrë formë dhe është përcaktuar lista e vendeve të sigurta. Këtë priste dhe ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, i cili ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, ku pritej që t’i propozojë Këshillit të Ministrave projektligjin e ratifikimit të legjislacionit të ri europian për emigrantët, legjislacion që qeveria italiane shpreson se do të zhbllokojë përdorimin e qendrës së Gjadrit në Shqipëri.
La Repubblica shkruan se Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Kosova, Maroku dhe Tunizia janë, sipas vendimit të sotëm të BE-së, vendet e origjinës që duhet të konsiderohen të sigurta. Në thelb, për personat që vijnë nga këto vende do të zbatohen procedurat e reja që parashikojnë shqyrtim të përshpejtuar (që, përveç rasteve të veçanta, mund të përfundojë me refuzim të kërkesës për azil) ose mundësinë që kërkesa e tyre të shqyrtohet në një vend të tretë (jashtë BE-së) nga i cili kanë kaluar.
Procedurat e përshpejtuara të kufirit për emigrantët që vijnë nga vende të sigurta mund të zbatohen jo vetëm në kufijtë e BE-së, por edhe në vendet e tranzitit. Kësaj liste i shtohen edhe vendet që janë në pritje për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Lista i përgjigjet kërkesave të Italisë, duke qenë se nga Bangladeshi dhe Egjipti, si edhe nga Tunizia, regjistrohen mbërritjet më të shumta në brigjet italiane.
Koncepti i vendit të tretë të sigurt u mundëson shteteve anëtare të BE-së të shpallin një kërkesë për azil si të papranueshme (pa e shqyrtuar në thelb), kur kërkuesi i azilit ka pasur mundësi të kërkojë dhe të marrë mbrojtje ndërkombëtare në një vend jashtë BE-së që konsiderohet i sigurt për të. Për shembull, nëse një emigrant nga Afrika Subsahariane kalon nëpër Marok ose Tunizi para se të mbërrijë në Itali, ai mund të kishte kërkuar azil atje.
Në përgjithësi, konsiderohen të sigurta ato vende për të cilat përqindja e dhënies së lejeve të qëndrimit për kërkuesit e azilit nuk e kalon 20%.
Marrëveshja e arritur mbi rregulloren e re të riatdhesimeve hap rrugën për krijimin e të ashtuquajturave “return hub”, qendra për riatdhesime të vendosura jashtë kufijve të Bashkimit Europian.
“Sa i përket qendrave të riatdhesimit, nuk jam unë ai që duhet të mendojë për vendet e treta; bëhet fjalë për negociata mes shteteve anëtare dhe më pas me vendet e treta. Do të ishte pozitive, natyrisht, nëse më shumë palë do të bashkonin forcat. Mendoj për Holandën, që po diskuton me Ugandën. Gjermania është tashmë pjesë e bisedimeve. Ashtu si Italia dhe Shqipëria. Por nuk jam unë ai që vendos; tashmë kemi vendosur bazën ligjore që të jetë e mundur të merren në konsideratë ide kaq të reja dhe inovative”, shpjegon komisioneri europian për Çështjet e Brendshme dhe Emigracionin, Magnus Brunner, në mbërritjen e tij në Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



