Komunitet

Emigrantët, Greqia “blindon” kufijtë!

Greqia ka vendosur që të shtojë masat e sigurisë, duke “blinduar” kufijtë dhe duke zhvendosur emigrantët nga kampet që gjenden në ishujt grek në Greqinë kontinentale, në përpjekje për të përballuar valën e re të emigrantëve.

Këshilli grek i Çështjeve të Jashtmen ka mbajtur të shtunën një mbledhje të jashtëzakonshme, pas arritjes së një numri të madh të emigrantëve në fillim të kësaj jave.

Qeveria greke njoftoi se kishte vendosur jo vetëm zhvendosjen e azilkërkuesve nga kampet që gjenden në ishujt e Egjeut, por edhe rritjen e sigurinë në të gjithë kufijtë greke.

Një kamp migrantësh në ishullin grek Lesbos. Gazeta Si, 1 shtator , 2019

Sipas Athinës zyrtare, monitorimi i kufijve do të bëhet në bashkëpunim me agjencinë e Bashkimit Europian, Frontex, por edhe me NATO-n. Po ashtu, Greqia do të rrisë patrullat në kufi, me qëllim që të identifikojë azilkërkuesit, të cilëve u është refuzuar azili, por që vazhdojnë të qëndrojnë në vendin fqinj.

Sinjalet për forcimin e kontrolleve kufitare nga Athina vijnë tre javë pas publikimit të një raporti të Eurostat, i cili theksonte se 11,075 shqiptarë u përpoqën të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Greqia përgjatë vitit 2018. Ky raport zbulonte po ashtu se 23,400 shqiptarëve u është mohuar hyrja në kufijtë e vendeve të Bashkimit Europian, shumica në kufirin me Greqinë.

Në vazhdën e këtyre kalimeve të paligjshme, tanimë agjencia europiane FRONTEX ka marrë nën kontroll ruajten e kufijve shqiptarë, duke vendosur në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës 16 makina patrulluese, 50 oficerëve dhe një fugon patrullues.

Ashtu si edhe në Itali, edhe në Greqinë fqinjë, emigrantët dhe politikat rreth tyre kanë përbërë gjithnjë bazën e konfrontimeve midis partive më të mëdha të sistemit, duke bërë që emigrantët të shohin me frikë ardhjen e Demokracisë së Re në pushtet.

Kyriakos Mistotakis, Gazeta Si, 1 shtator, 2019

Që papara se të vinte në pushtet, kryeministri i ri i Greqisë, Kyriakos Mitsotsakis ishte betuar të frenonte emigracionin, Deri më tani, zëra kritikë nga opozita e majtë thonë se qeveria Mitsotakis do të bëjë të pamundurën të vonojë sa më shumë dhënien e nënshtetësive greke një proces që gjatë viteve është provuar se ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm

Gjatë mbledhjes së Këshillit për Çështjet e Jashtme po ashtu është vendosur që të shkurtohet procedura e azilit, duke eleminuar fazën apelimit për azilkërkuesit që u është refuzuar azili dhe që do të deportohen. Për më tepër, Qeveria greke tha se do të bashkojë 116 fëmijë me familjet e tyre, që gjenden në vende të tjera europiane.

Më 2015, në Greqi kanë arritur afro një milion refugjatë dhe emigrantë, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Turqisë më 2016 zvogëloi fluksin e migrantëve, por mbyllja e të gjithë kufijve në Ballkan, bëri që mijëra emigrantë të mbesin në Greqi. Organizatat humanitare kanë kritikuar Greqinë se nuk po bën mjaftueshëm për të përmirësuar kushtet në kampet ku gjenden emigrantët.

Një grup emigrantësh në kufirin Shqipëri-Greqi. Gazeta Si, 1 shtator 2019

Vendimi për forcimin e kontrolleve kufitare nga Greqia vijnë në një kohë kur Ballkani Perëndimor është kthyer në një shteg për emigrantët që kërkojnë të hyjnë në vendet e BE-së. Rruga Ballkanike që përdorej nga refugjatët për të arritur në Europën Perëndimore nga Turqia dhe Greqia, ka ndryshuar, duke kaluar nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Bosnja, ku duket se janë mbledhur mijëra emigrantë.

Kufiri shqiptar është vetëm një orë larg nga Janina prandaj të gjithë emigrantët që duan të udhëtojnë nga Greqia për në Ballkan, zgjedhin këtë shteg. Rojet e FRONTEX u vendosën për herë të parë në Shqipëri korrikun e kaluar duke patrulluar tanimë kufijtë me Greqinë, në mënyrë që të parandalonin emigracionin e paligjshëm, por edhe të evidentonin rastet e trafikut të qenieve njerëzore.

Zakonisht emigrantët hyjnë në këmbë nga kufiri grek dhe nëse kapen nga rojet kufitare shqiptare dërgohen me autobus drejt Tiranës, ku pushojnë për disa ditë në qendrën e strehimit të refugjatëve në Babrru dhe se pastaj vazhdojnë udhëtimin drejt Bosnjës apo Malit të Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë