Ngjarje

Emigrantët e Gjadrit / Gjykata e Romës: Duhet të kthehen menjëherë në Itali

Nga Gazeta Si - Gjyqtarët e seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës kanë vendosur: 12 emigrantët e sjellë në Shqipëri duhet të kthehen në Itali. Të gjithë. Tani.

Media italiane ‘La Repubblica’ shkruan se me vendimin e sotëm, 18 tetor, Gjykata e Romës nuk e konfirmoi ndalimin e të 12 emigrantëve nga Egjipti dhe Bangladeshi, të kapur me 13 tetor nga Guardia di Finanza dhe që u sollën në Gjadër dy ditë më parë, 16 tetor.

Sipas La Repubblica, ky vendim i Gjykatës së Romës bazohet në një vendim të Gjykatës së Drejtësisë Evropiane më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta.

Sipas vendimit të Gjykatës së Romës, Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe për këtë arsye emigrantët duhet të qëndrojnë në Itali.

“Arsyeja është e thjeshtë dhe e parashikueshme, sepse gjendet në vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të datës 4 tetor, pra përpara hapjes së qendrave të emigrantëve në Shqipëri nën juridiksionin italian. Ai vendim thotë se të konsiderohet i sigurt, një vend duhet të jetë i sigurt në të gjitha pjesët e tij dhe për çdo person, domethënë nuk mund të ketë persekutim, diskriminim apo torturë ndaj askujt në asnjë zonë të territorit”, shkruan ‘La Repubblica.

Kryetarja e seksionit Luciana Sangiovanni e shpjegon këtë shumë qartë në një shënim për shtyp: Refuzimi për të vërtetuar ndalimin në strukturat dhe zonat shqiptare të barasvlershme me zonat kufitare ose tranzite italiane është për shkak të pamundësisë së njohjes së shteteve të origjinës së personave të ndaluar si "vende të sigurta", pasojë e moszbatueshmërisë së procedurës kufitare dhe, siç parashikohet në protokoll, e transferimit jashtë territorit shqiptar të personave emigrantë, të cilët kanë të drejtë të çohen në Itali.

Në fakt, emigrantët në qendrat përtej kufirit nuk mund të qëndrojnë dhe as të lihen të lirë në territorin shqiptar. Këtë e ka përsëritur edhe Edi Rama në intervistën dhënë për Repubblica. Kështu emigrantët do të duhet të hipin sërish në një anije për t'u kthyer në Itali, në portin ku qeveria italiane vendos t'i lërë të zbarkojnë.

Më pas ata do të kenë 14 ditë nga dita e sotme për të apeluar kundër refuzimit të kërkesës së tyre për azil tek të njëjtat gjyqtarë të seksionit të imigracionit, të cilët do ta vlerësojnë atë rast pas rasti.

“Prandaj autoritetet italiane kanë për detyrë të kthejnë të arrestuarit në Itali dhe t'i lejojnë ata të ushtrojnë të drejtën e azilit në territorin italian”, sqarojnë avokatët Silvia Calderoni, Paolo Iafrate dhe Arturo Salerni, të cilët po ndihmojnë një shtetas Bangladesh të 12 të ndaluar në Gjadër.

“Udhëtimi i Libra përtej Jonit dhe Adriatikut, i cili zgjati dy ditë dhe kushtoi rreth 20 mijë euro për emigrant në një operacion që në total i kushton mbi një miliardë shtetin italian në 5 vjet, u kthye në një dështim të plotë. Nga 85 të shpëtuar në det nga katër varka, vetëm 16 u dërguan në Shqipëri. Dy të tjerë, të mitur, janë kthyer mbrapsht sapo kanë mbërritur në portin e Shëngjinit. Monitorimi i cenueshmërisë më pas përjashtoi dy të tjerë. Dhe sot ka mbërritur “jo” për ndalimin e të 12 të fundit. Qendrat shqiptare me mijëra vende që funksionojnë që nga 13 tetori mund të mbeten bosh nga mbrëmja e sotme”, shkruan La Repubblica.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë