Nga Gazeta “Si”- “Policia gjyqësore ka ndaluar automjetin me targa AA…VK, me drejtues shtetasin M.XH dhe ka konstatuar se në brendësi të mjetit kanë qenë nëntë shtetas nga Afganistani, katër të rritur dhe pesë fëmijë, të cilët do t’i transportonte në drejtim të Tiranës. Janë marrë të dhëna nga shtetasit e huaj, të cilët kanë deklaruar se janë larguar nga vendi i tyre para tre vjetësh dhe kanë shkuar në Greqi, ku janë njohur me njëri-tjetrin. Më pas, të dy familjet kanë vendosur të niseshin për në Shqipëri dhe rrugën e kanë bërë me autobuz e më pas, kufirin e kanë kaluar në këmbë për katër ditë”.
Kështu e nis referimin në një nga fashikujt policia e shtetit për shqiptarë të përfshirë në rrjetet e kalimit të migrantëve të paligjshëm. Më tej përmendet se emigrantët mbërritën në Korçë dhe se pranë tyre kaloi një automjet ku drejtuesit të mjetit i kërkuan ti transportonte drejt kryeqytetit shqiptar.
“I dyshuari u ka kërkuar 600 euro dhe ata kanë pranuar. Pasi kanë hyrë në automjetin e mësipërm, kanë bërë një farë rrugë e më pas i ka ndaluar policia. Njërit prej shtetasve të huaj i është gjetur shuma prej 600 euro, të cilën do t’ia jepnin drejtuesit të mjetit, kur të arrinin në Tiranë”, përmend gjatë hetimeve policia.
Ndërkohë i dyshuari fajëson rastësinë dhe bujarinë.
“I pashë të huajt që ecnin në këmbë dhe njëri prej tyre më tha anglisht që ti transportoja dhe më erdhi keq. Gjatë rrugës na ndaloi policia dhe më ndaluan. Por transportimin e tyre nuk e bëra me qëllim përfitimi”, përmendet nga i dyshuari në fashikullin e policisë së Korcës që ju vends në dispozicion Gazetasi.al.
Por autoritetet lokale këmbëngulin se i riu nuk ishte dhe aq bujar sa pretendon dhe se ai po kryente një punë të paligjshme për të cilën do paguhej. Ai u tradhëtua nga telefoni dhe kqyrja e mesenxherit të tij.
“Ky shtetas udhëzohet nga shtetas të huaj dhe një shqiptar me emrin Petrushë, që u identifikua me inicialet D.H. Por ky shtetas refuzoi të japë shpjegime”, deklaron policia për Gazetasi.al.
Policia kufitare përsërit për Gazetasi.al se pavarësisht grupeve të shumta të emigrantëve që përdorin Shqipërinë dhe arrestimeve të transportuesve, ende nuk janë goditur trafikantë që kanë krijuar lidhje të forta me ‘kolegët’ e tyre grekë, serbë por edhe turq.
Shifrat e raportuara nga policia tregojnë një rritje të frikshme nga viti 2017 e në vazhdim, ku nga 6894 shtetas të konstatuar si migrantë të parregullt për 2018, trendi kapërceu duke u shumëfishuar në gati 12 mijë të tillë për 2019, 18 mijë për 2020, dhe duke shkuar mbi 22 mijë migrantë të parregullt për 2021. Policia është e bindur që pavarësisht të gjithave, edhe shoferët e tyre janë “viktima” në këtë rrjet.
“Është ngritur infrastrukturë e gatshme dhe rrjetet i janë përgjigjur kërkesës së tregut për të garantuar strehimin e përkohshëm, qarkullimin e tyre, ushqimin derisa ata dorëzohen në pikat dalëse si Kukësi, Durrësi dhe Vlora”, përsërit zyrtari i policisë për hetimin e krimit të organizuar.
Por kur T., një mesoburrë që u la i lirë nga gjykata e Fierit pasi u kap me Sirianë që po i dërgonte drejt Fierit këmbënguli që ishte një taksist që i duhej punë dhe nuk i interesonte krimi, autoritetet morën masë për pezullimin e punës së tij.
“Jam detyruar të punoj në të zezë, sepse më kanë mbajtur patentën dhe mjetin e punës”, denoncon ai gjatë bisedës me Gazetasi.al. Sipas tij, taksistët e licensuar, me ngjarjet që po ndodhin janë të rrezikuar të hetohen si pjesë rrjetesh kur në fakt nuk janë. Por policia insiston se fenomeni i transportimit dhe i punësimit të paligjshëm të shoferëve ka shpërthyer në të gjithë vendin.
“Po flasim për të rinj që fitojnë para lehtë dhe postblloqet rastësore i kanë zbuluar ata. Pagesa që marrin varion nga 100 euro për person”, mbyll qëndrimin e tij zyrtari i policisë që insiston se rrjetet, ndonëse kryhen përgjime të shumta, po ja dalin të kalojnë të huajt e parregullt drejt Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.