“Mephisto” te vepra “Fausti” e Gëtes, është djalli që të ofron atë që dëshiron në këmbim të shpirtit tënd në ferr.
Teatri Kombëtar Eksperimental me shfaqjen “Unë jam Mephisto” ka zgjedhur ta sjellë “Mephiston”, përmes gjuhës së artit jo si mit (djall), por si fenomen pa kohë, që i ndjek nga pas shoqëritë njerëzore në çdo epokë.
Producentja Ema Andrea, njëkohësisht edhe aktore e shfaqjes e cilëson këtë projekt artistik një shfaqje provokative për publikun, që fton gjithsecilin të reflektojë.
“Është një shfaqje që më shumë se mesazh, është një ftesë për të reflektuar mbi zgjedhjet personale të gjithsecilit, mbi zgjedhje të cilat mbartin mbi vete përgjegjësitë, përtej vetes, përtej pragmatizmit”, shprehet Ema Andrea për Gazetasi.al, ndërsa shton se “është një ftesë përmes historisë, historisë së artit, përmes historive tona personale, mbi përgjegjësinë sociale në momentet kur jemi në udhëkryq dhe duhet të zgjedhim momentin më të leverdisshëm për veten, pa pasur parasysh se në çfarë rrethanash, ku do të rëndojë gjithë kjo zgjedhje, apo një person që reflekton mbi moralin e shoqërisë, mbi shembullin e shoqërisë, dhe kur them shoqërisë, flas nga vetja e tutje, se çdo gjë është e lidhur me njëra tjetrën”.
Me rol në shfaqje aktorja Ilire Vinca shprehet se emëruesi i përbashkët i kësaj vepre teatrale është njeriu me anët e tij të mira dhe të këqija.
“Shfaqja përfshin një gamë të gjerë të ndjenjave. Më më shumti hedh dritë në atë se si qëndrojmë në një shoqëri, si zgjedhim të jetojmë jetën, në cilat pika të këtij udhëtimi të jetës ne bëjmë kompromise. Kjo shfaqje i hedh sytë drejt vetes dhe mënyrës se si jetojmë”, shprehet aktorja Vinca për Gazetasi.al.
Për aktorin Matia Llupa, kjo shfaqje vjen edhe si një lloj terapie.
“Unë nuk kam një rol të caktuar, janë rreth 3-4 të ndryshme, se të gjithë luajmë role të ndryshme në këtë vepër. Gjithë çështja është si është të jesh Mephisto. Nuk flitet vetëm për shpirtin e Faustit, por për shpëtimin e shpirtrave, askush nuk humb besimin te vetja. Është një lloj terapie, që nis që nga Fausti i Gëtes një vepër mbi 200-vjeçare deri në ditët e sotme, tek teknologjia, tek inteligjenca artificiale, dhe parimet që na shoqërojnë”.
“Unë jam Mephisto”, vjen me regjinë e boshnjakut Dino Mustafic, si bashkëpunim ndërballkanik, me artistë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Serbia si: Ilire Vinca, Ema Andrea, Ermir Jonka, Rafael Hoxhaj, Matia Llupa, Krist Lleshi, Ilia Kaçi, Florist Bajgora, Enisa Hysa, etj.
Duke thënë se në qendër të shfaqjes janë artistët e rinj, Ema Andrea i mëshon faktit se prania e artistëve të rinj në shfaqje i bën prodhimet edhe më ekspresive.
Për të, kjo shfaqje sjell një bashkëpunim ndryshe edhe mes brezash, sjell teatrin modern.
“Kjo shfaqje ofron edhe një formë të re të të bërit art, të të bërit teatër modern, ndryshe nga ajo që kemi parë deri tani. I ofron publikut një bashkëpunim ndryshe edhe mes brezash, dhe natyrisht estetik ndryshe, shenja të ndryshme skenike, të cilat flasin shumë thjesht me spektatorin, sjell dinamika të ndryshme, vajtje ardhje në kohë të përcaktuar dhe jo të përcaktuar”, thotë Andrea për Gazetasi.al.
Edhe pse është bazuar në një vepër të largët në kohë, shfaqja vjen aq aktuale, si një terapi me veten për gjithsecilin.
“Në thelb është si një lloj katarsisi, që të bën të ngresh pyetje. Nuk mund t’i shmangësh pa bërë autoterapi me veten. Të gjithë e kanë Mephiston brenda vetes”, vijon më tej aktori Llupa për Gazetasi.al.
Ndërsa e ftojnë publikun ta ndjekë këtë shfaqje, aktorët janë të bindur se kjo vepër teatrale “do ngrejë pyetje dhe do hapë çështje sociale mjaft interesante”.
Me këtë vepër, me sa duket publiku do të shohë në pasqyrë veten, partnerin, kolegun, artistin etj…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






