Gazeta Si – Kandidati i tretë në radhë (pas Xholit dhe Musabelliut), Elvin Gokaj, gjatë paraqitjes së platformës së tij para anëtarëve të KLP në garën për kreun e ri të SPAK, u shpreh se veprimtaria e tij do të fokusohet në katër shtylla kryesore.
“Synimi kryesor dhe veprimtaria ime do fokusohet në këto shtylla kryesore: 1.Në luftën e pandërprerë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. 2.Në konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore me ekspertë të fushave të ndryshme. 3.Në forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 4.Në forcimin e besimit te publiku”, tha Gokaj.
Prokurori i posaçëm e nisi prezantimin me profilin e tij dhe karrierën në sistemin e drejtësisë si dhe çështjet që ka hetuar.
“Veprimtaria ime do fokusohet në luftën kundër krimit, përmirësimin e strukturës dhe shtim kapaciteti njerëzor, forcim i marrëdhënies dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët dhe forcimi i besimit te publiku. Drejtimi i ri i SPAK do të nisë me analizë, që do të ndihmojë në hartimin e një strategjie zhvillimi për tre vitet e ardhshme”, tha ai ndër të tjera teksa prezantoi platformën e tij.
Gokaj tha se nëse zgjidhet në krye të SPAK do të jetë vetvetja. Ai u shpreh se do të marrë praktikat më të mira të kolegëve paraardhës dhe do të vazhdojë drejtimin vetë.
“Drejtimi im do jetë vetvetja për faktin se kam qenë mbi 10 vite drejtues në shumë rrethe të Shqipërisë. Do marr praktikat më të mira të kolegëve të mi paraardhës dhe do të vazhdoj drejtimin vetë”, tha ai.
Ai vlerësoi se Arben Kraja dhe Altin Dumani nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në çështjet e prokurorëve. Këtë linjë tha se do ta ndjekë edhe vetë nëse zgjidhet.
“Nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në asnjë çështje. Nuk kemi pasur asnjë ndikim nga drejtuesit e mëparshëm për çështje konkrete. Për këtë mendoj që do të jetë edhe linja ime që do t’i qëndroj”, tha Gokaj.
Sipas tij, më e rëndësishme në punën e një drejtuesi është puna në grup.
“Praktikat më të mira të punës së një drejtuesi është puna në grup. Sot pavarësisht se SPAK ka 20 prokurorë, për mendimin tim janë 20 drejtues aty sepse e ka rregulluar ligji dhe kushtetuta. Drejtuesi mund të rrijë vetëm në mbështetje të prokurorëve”, tha ai.
Një nga pikat e dobëta që sheh te vetja ai tha se janë programet kompjuterike që kanë avancuar. Ai u shpreh se me ndihmën e ekspertëve edhe kjo fazë do të arrihet të kalohet në SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




