Rend dhe Ligj

Elvana Gjata shkak i sherrit: Si u përplas me grupin rival Martinaj

Ervis Martinaj ndodhet sot në një spital privat, nën masa të rrepta sigurie. Ai i shpëtoi mbrëmë një përleshjeje me armë, në një lokal në Bllok, mu në zemër të Tiranës. Ngjarja që tronditi kryeqytetin, thuajse është zbardhur përsa i përket dinamikës pikërisht nga këqyrja e kamerave të sigurisë brenda në zonën privé të lokalit të biznesmenit Redi Popescu, i cili edhe ai ka mbetur i lënduar lehtë jo me armë zjarri, si pasojë e përleshjes mes grupeve rivale.

Sipas burimeve policore “molla e sherrit” për ngjarjen e rëndë ka qenë këngëtarja e njohur, Elvana Gjata. Këngëtarja ishte në shoqërinë e të dashurit të saj, një biznesmen i njohur kur disa persona, miq të Ervis Martinajt e kanë ngacmuar, duke provokuar sherrin dhe më pas palët kanë nxjerrë armët, duke sjellë kasaphanën që ndodhi. Nuk dihet akoma nëse ngjarja është vetëm për sherrin e çastit apo ka një prapaskenë për konflikte të mëparshme mes dy grupeve rivale.

Ditën e sotme, Elvana Gjata ka dhënë në polici dëshminë e saj dhe sipas burimeve paraprake këngëtarja ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.

Dy grupet rivale janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në momentin kur hyjnë në lokal. Brenda pak sekondave ka nisur fillimisht një përleshje fizike dhe më pas edhe ajo ka degjeneruar në përplasje me armë zjarri. I pari që ka hapur zjarr besohet të ketë qenë truproja i Ervis Martinajt, Fabiol Gaxha, i cili mbeti viktimë e kësaj përplasjeje.

Në sherr e sipër Fabiol Gaxha, duke i dalë në mbrojtje Ervis Martinajt, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit rival. Kundërpërgjigja ka lënë të vrarë Gaxhën, i cili sipas këqyrjes fillestare të kufomës, rezulton të ketë marrë një plumb në kokë. Ndërsa Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, që kanë qenë bashkë në tavolinë, kanë mbetur të plagosur.

Nga përplasja e mbrëmshme me armë ka mbetur i plagosur edhe një person i tretë, identiteti i të cilit nuk dihet. Dy të plagosurit e tjetër Ervis Martinaj dhe Eljon Hato mbrëmë kanë marrë ndihmën e parë tek Spitali i Traumës. I gjithë perimetri i këtij spitali, por edhe korridoret dhe dhoma ku mbaheshin të lënduarit, është mbajtur nën vëzhgim të rreptë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcat Renea.

Ervis Martinaj është një personazh i njohur për policinë shqiptare, i dënuar dhe i përfshirë në disa ngjarje kriminale, mes të cilave edhe një vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë